Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka mbështetur thirrjen e presidentes Vjosa Osmani, për t’i larguar tarifat ndaj SHBA-së, raporton Gazeta Enigma.
Oda Amerikane ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane.
“Oda Amerikane mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila i bëri jehonë thirrjes sonë duke kërkuar pezullimin e të gjitha tarifave për mallrat amerikane. Kjo thirrje thekson rëndësinë strategjike të thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas Odës “Partneriteti disavjeçar me Shtetet e Bashkuara – si aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës – duhet të përkthehet në vendime të guximshme e në momente të duhura politike. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se nismat që synojnë avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, veçanërisht ato të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike dhe vlera të përbashkëta, nuk duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike. Përkundrazi, ato kërkojnë unitet dhe veprim të shpejtë institucional, prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fokusohet në politikat që forcojnë partneritetin global dhe të ardhmen ekonomike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se Presidentja Vjosa Osmani të enjten ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. / Gazeta Enigma.