Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 12:00 për një seancë të jashtëzakonshme, me fokus në “skandalet” që kanë prekur Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Kjo seancë është ftuar nga opozita, e cila ka paraqitur gjithashtu një Rezolutë për kërkesën e përgjegjësisë nga Qeveria lidhur me situatën në KEK, raporton Gazeta Enigma.
Pikat kryesore të Rezolutës përfshijnë:
- Kërkesën për hetime të plota mbi skandalet në KEK, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik, me fokus në ndjekjen penale të shkeljeve.
- Kërkesën që Qeveria dhe Bordi i KEK të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke shqyrtuar kushtet e favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike.
- Kërkesën për hetimin e ndërhyrjeve të paautorizuara në menaxhimin e KEK, veçanërisht në lidhje me tenderët dhe proceset e punësimit, me masa për të parandaluar ndërhyrjet e paligjshme.
- Kërkesën për një hetim të plotë mbi rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në KEK.
- Obligimin për të rritur transparencën në proceset e prokurimit dhe tregtisë së energjisë, përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare.
- Rekomandimin që Qeveria të emërojë një bord të pavarur dhe profesionist për të siguruar menaxhim efikas në KEK.
- Kërkesën për raportime çdo tre muaj nga Qeveria dhe Bordi i KEK mbi situatën në ndërmarrje, përfshirë masat për përmirësimin e menaxhimit dhe transparencës.
Kjo rezolutë do të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit në Kuvendin e Kosovës./GazetaEnigma/