Dy vjet pas marrjes së mandatit të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Kurti, partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje të reja.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, tha se qeveria aktuale ka dëshmuar se nuk është e aftë ta udhëheq vendin.
Ndërsa, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj thotë se qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti, ka stagnuar në proceset politike dhe se zgjedhjet e reja janë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.
“Gjithmonë kur vendimet e mëdha nuk merren, gjithmonë kur ka stagnim të proceseve politike. Kur kemi problem të funksionimit të Kuvendit normalisht që zgjedhjet janë gjithmonë opsion. Çdo ditë e më shumë sikur po tregohet që kjo qeveri s’është e vendimeve të mëdha as e punëve të mëdha dhe tash. Gradualisht po pjekën kushtet që Kosova dhe demokracia kushtetuese, ndoshta ka nevojë që të apdejtohet pak…”, tha Selmanaj.
Se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja e thotë edhe AAK-ja. Deputeti, Pal Lekaj thotë se kësaj qeverie duhet t’i vjen fundi.
“Kjo qeveri na del të jetë mashtrimi më i madh. Përveç që ka treguar paaftësi totale, e ka humbur edhe kauzën e saj morale në luftën kundër korrupsionit, e mos të flasim për deformim total të qëndrimeve politike e diplomatike. Nuk është këtu as zotimi e as besimi i madh qytetar që ka mandatuar këtë qeveri. Stagnimi politik, ekonomik, e degradimi në çdo sferë tjetër sociale, është sinjal që kësaj qeverie të paaftë e të kompromituar, duhet t’i vije fundi”, tha Lekaj, raporton RTV21.
Televizioni gjatë ditës kontaktoi me deputetë të partisë në pushtet, por ata nuk pranuan të flasin për këtë çështje.