Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin britanik “Sky Neës”, ka deklaruar se Kosova është duke shtuar kapacitetet për të pranuar refugjatë afganë.
“Jemi veçse gati të pranojmë refugjatët e parë. Çfarë po bëjmë tani është se po rrisim kapacitetet ashtu që të mund të pranojmë më shumë. Nuk mund të përmend numrin final deri të studiojmë çdo lokacion në Kosovë që mund t’i marrë ata”, theksoi Osmani.
Ajo për pranimin e afganëve në Kosovë tha se është “çështje ditësh”.
“Por, jemi gati t’i pranojmë grupin e parë, kështu që ajo do të varet se si aranzhohet transporti i tyre nga SHBA-ja”.
Ndërkaq Osmani shtoi se ende nuk kanë marrë kërkesë se kur afganët do të vijnë në Kosovë.
“Nuk kemi marrë ende informacion se kur afganët do të vijnë në Kosovë, por e kemi derën e hapur dhe nuk ka ndonjë shtet në botë që e kupton dhimbjen e refugjatëve më shumë se sa ne”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani, potencoi se nuk ka kërkesa për status të qëndrimit, pasi Kosova do të jetë strehë e përkohshme e refugjatëve.
“Diskutimet që kemi pasur me SHBA-në ishin të lidhura me njerëzit, punonjës që punonin me ushtrinë amerikane të cilët veçse kishin shprehur interesimin që të shkojnë direkt në SHBA. Por, për shkak se aplikimet e tyre po marrin kohë, ne do t’i mirëpresim ata për sa kohë që ka nevojë, në Kosovë.
Ajo gjatë kësaj interviste tregoi se pesë shtetas të Kosovës në Afganistan kishin kërkuar ndihmë nga institucionet për evakuim dhe se nuk ka tjetër.
Sipas saj, “shumë kosovarë kanë punuar për forcat ushtarake amerikane dhe britanike, por se deri pak muaj më parë të gjithë janë larguar nga atje, përveç të pesë qytetarëve që u evokuan tash”.
Të martën e 17 gushtit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.
“Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti, kur u pyet nga gazetarët, derisa kishte një vizitë rutinë në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SHBA-të kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.
Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.
Ndërkaq, të dielën, më 15 gusht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.
Osmani tha, “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.
Gjithashtu, ajo deklaroi se Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues që do të merret me çështjet organizative, në bashkëpunim me partnerët amerikanë.
Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë dhe vendi se ku do të qëndrojnë.