Pa marrëveshje finale me Serbinë, por a do të fillojnë bisedimet me Shqipërinë për bashkim me Kosovën?

Pa marrëveshje finale me Serbinë, por a do të fillojnë bisedimet me Shqipërinë për bashkim me Kosovën?

“Në të ardhmen do të votoja për bashkim me Shqipërinë nëse do të kishte referendum paqësor dhe demokratik”.

Kjo ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që çoi pluhur në skenën politike dhe ngjalli reagime të shumta.

Idenë e Kurtit për një bashkim të mundshëm me Shqipërinë, analisti Valon Murati, e cilëson si propagandistike.

Murati theksoi për Gazetën “Enigma” se kryeministri Kurti, duhet të ketë parasysh se bashkimi është i ndaluar me Kushtetë. Pra, sipas tij Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa 2/3 e deputetëve të pakicave, si dhe organizimi i një referendumi për ndryshim të Kushtetutës nuk lejohet me Kushtetutë.

Ai shtoi se Kurti do të duhej të tregonte sesi i eleminon këto pengesa, e jo të tregojë sesi do të votonte në një referendum të mundshëm.

“Por, ashtu siç e ka përdorur në të kaluarën idenë e bashkimit për qëllime elektorale, dhe me motive populliste, pa pasur asnjëherë projekt sesi do të realizohej ai, edhe sot ai përpiqet ta përdorë idenë e bashkimit duke na treguar sesi do të votonte”, shtoi Murati.

I pyetur se përderisa Kurti s’ka arritur një marrëveshje finale me Serbinë, a duhet të fillojnë bisedimet edhe me Shqipërinë për një bashkim të mundshëm, Murati tha se është e pamundur të realizohet.

Ai shtoi se Kosova dhe Shqipëria anipse nuk mund të realizojnë një marrëveshje të tillë, sipas tij këto dy vende mund të bëjnë shumë hapa në fushën e integrimeve evropiane.

“Është e pamundur të shtrohet çështja e bashkimit, pa zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve me Serbinë është projekti i ripërcaktimit të kufijve. Kosovës duhet t’i bashkohen pjesët shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe Serbisë pjesët serbe të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit”, ka potencuar ai, duke theksuar se me një marrëveshje të tillë me garanci ndërkombëtare do të krijoheshin kushtet për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, dhe sipas tij do të funksionalizohej Kosova si shtet dhe kështu do të përmbyllej procesi i shtet-ndërtimit.

Murati thotë se vetëm pas një procesi të tillë mund dhe duhet të shtrohet çështja e bashkimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërkaq, përveç se pati debate nga pala kosovare, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj kësaj deklarate duke thënë se po ta kishte thënë diçka të ngjashme, do ta varnin në Washington ose Bruksel.

“Unë as që reagova. E lamë të shkojë për një ditë dhe më pas reagoi Ana. Nuk bëhet fjalë për një ambasador, por për të ashtuquajturin kryeministër që kërcënon të bashkojë Shqipërinë”, tha Vuçiq.

Kujtojmë që kjo ishte deklarata e tretë e Kurtit për një bashkim të mundshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, anipse ai vet pati deklaruar se neni 1.3 i Kushtetutës e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Madje, Kurti kur ka përmendur idenë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kishte theksuar edhe integrimin në Bashkim Evropian. /Gazeta Enigma/.

Related Articles