Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, në rastin e njohur si “Thaçi dhe të tjerët”, ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Veseli, Selimi dhe Krasniqi kishin kërkuar lirim të përkohshëm me garanci nga Policia e Kosovës, e cila, në këtë rast, kishte paraqitur dokumentet e nevojshme që vërtetonin aftësinë dhe trajnimin e forcave të policisë për të siguruar sigurinë e tyre gjatë periudhës së lirisë së përkohshme.
Megjithatë, Prokuroria e Specializuar e cilësoi Policinë e Kosovës të paaftë për të zbatuar këtë masë sigurie, duke argumentuar se nuk kishte garanci të mjaftueshme për parandalimin e rreziqeve të mundshme.
Në një përgjigjë nga Dhomat e Specializuara për Gazetën “Enigma”, kanë thënë se ende nuk ka asgjë zyrtare rreth kësaj, por vendimi i trupit gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Charles Smith, Christoph Bardhe, Guenaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, edhe pse nuk është bërë ende publik, është përmendur në kërkesën e fundit të kryeprokurores Kimberly West për vazhdimin e paraburgimit të Veselit.
Sipas kërkesës, paraburgimi i Veselit është vlerësuar si proporcional dhe i nevojshëm për të ruajtur sigurinë e procedurave ligjore.
Kryeprokurorja West citon në këtë kontekst vendimin e trupit gjykues, duke theksuar se, pas një rishikimi të fundit, Paneli ka arritur në përfundimin se mbajtja e Veselit në paraburgim për dy muaj të tjerë është e justifikuar nga rrethanat e veçanta të rastit.
Më 13 maj 2025, pas shqyrtimit të kërkesës së fundit për lirim të përkohshëm, Paneli vendosi që paraburgimi i Veselit mbetet i nevojshëm dhe i arsyeshëm, duke theksuar se vetëm përmes monitorimit të komunikimeve në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës mund të sigurohet kufizimi i mundshëm i komunikimeve që mund të rrisin rrezikun e pengimit të procedurave apo kryerjes së krimeve të tjera.
Vendimi – ligjërisht i pa arsyeshëm
Avokati i akredituar nga Specialja, Artan Çerkini tha për Gazetën “Enigma” se nuk është ligjërisht i arsyeshme refuzimi i lirimit të përkohshëm të ish-krerëve pas përfundimit të dëshmive të Prokurorisë në Speciale.
“Jo, nuk është ligjërisht e arsyeshme. Bazuar në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, sidomos nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), çdo vendim për vazhdimin e paraburgimit duhet të jetë i bazuar në arsye të reja dhe konkrete, dhe të dëshmojë se paraburgimi është ende absolutisht i nevojshëm”, theksoi ai.
“Pas përfundimit të çështjes së Prokurorisë, rreziku për ndërhyrje në dëshmitarë ose prova bie ndjeshëm, pasi dëshmitarët tashmë kanë dëshmuar dhe provat janë administruar. Rreziku për arratisje nuk mund të supozohet në mënyrë abstrakte. Të dy të pandehurit janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me gjykatën. Parimi i proporcionalitetit e kërkon që masa e paraburgimit të rishqyrtohet vazhdimisht dhe të merret parasysh kalimi i kohës dhe faza në të cilën ndodhet procesi. Vendimi për të refuzuar lirimin me kusht pa u bazuar në ndryshime të reja faktike apo rrethana specifike cenon lirinë individuale në mënyrë arbitrare dhe disproporcionale”.
Tutje, Çerkini tha se vlerësimi i Prokurorisë se Policia e Kosovës është “e paaftë” për të zbatuar masën e lirimit me kusht është juridikisht i papranueshëm dhe paragjykues.
“Ky vlerësim është juridikisht i papranueshëm dhe paragjykues. Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë faktike apo materiale që do të vërtetonte se Policia e Kosovës është realisht e paaftë për të zbatuar masat e lirimit me kusht. Ky vlerësim cenon parimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sovranitetin e institucioneve të Kosovës, të cilat në rastin konkret kanë për detyrë të zbatojnë masat gjyqësore të përcaktuara nga një juridiksion ndërkombëtar. Është spekulativ, në mungesë të rasteve konkrete të dështimit të zbatimit të masave të ngjashme. Përbën një stereotipizim i pajustifikuar dhe një dyshim të paargumentuar mbi një organ të zbatimit të ligjit, pa i dhënë atij as mundësinë e ushtrimit të kompetencave të veta në përputhje me ligjin”, shtoi ai.
Ai tha se një ankesë për rishqyrtim të këtij vendimi nga mbrojtja është plotësisht e justifikueshme dhe e garantuar me ligj.
“Një ankesë është plotësisht e justifikuar dhe e bazuar në ligj. Mbrojtja ka të drejtë të bëjë ankesë në bazë të nenit 45 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, për vendimet që kanë të bëjnë me lirimin ose vazhdimin e paraburgimit. Baza për ankesë përfshin: Shkelje të standardit të nevojshmërisë dhe proporcionalitetit të paraburgimit. Mosvlerësim të duhur të alternativave ndaj paraburgimit, siç janë lirimi me masa të posaçme mbikëqyrjeje. Cenim i të drejtës për liri dhe për një proces të drejtë, sipas nenit 5 dhe 6 të KEDNJ-së. Përdorim i të dhënave të përgjithshme apo i vlerësimeve të njëanshme nga Prokuroria, pa analiza konkrete dhe të veçanta të situatës aktuale.
Mbrojtja mund gjithashtu të kërkojë rishqyrtim të vendimit nëse paraqiten rrethana të reja apo nëse vendimi aktual bazohet në interpretime të gabuara ligjore”, përfundoi ai.
Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka shprehur indinjatën e tij lidhur me refuzimin e kërkesës për mbrojtje në liri për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një konferencë për media, Gruda theksoi se ky vendim cenon të drejtat themelore të njeriut të të akuzuarve, të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Mbajtja e tyre, së bashku me ish-Presidentin Thaçi, për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim, përbën një shkelje flagrante të standardeve të drejtësisë perëndimore, standarde që kemi besuar se do të respektoheshin me përpikëri nga kjo gjykatë. Pas përfundimit të fazës së Prokurorisë, kur çdo argument për ndonjë rrezik të mundshëm për ndikim në proces ka rënë, lirimi me kusht nuk do të duhej të ishte një privilegj, por një e drejtë e patjetërsueshme,” ka deklaruar ai.
Partia Demokratike e Kosovës ka apeluar për një veprim të përgjegjshëm dhe me respekt për të drejtat themelore të njeriut nga Dhomat e Specializuara, faktorin ndërkombëtar dhe ata që financojnë gjykatën.
“Z. Thaçi, z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi nuk janë aty thjesht si qytetarë të akuzuar, por si liderë të luftës për liri, arkitektë të pavarësisë dhe ndërtues të institucioneve demokratike të Kosovës. Ne kërkojmë një gjykim të drejtë, të bazuar në standardet e vendeve demokratike, nga të cilat vijnë edhe gjyqtarët e kësaj gjykate. Prandaj, kërkojmë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, kërkojmë që humanizmi të mos zhduket përballë paragjykimeve, dhe që ligji të mos shtypet në emër të drejtësisë,” ka shtuar Gruda.
Ai gjithashtu ka apeluar për një angazhim më të madh nga institucionet e Kosovës për ofrimin e garancive për të akuzuarit.
“Jemi të bindur se procesi në Hagë dhe epilogu i tij nuk janë çështje individuale, por çështje me rëndësi themelore për historinë dhe të ardhmen e shtetit tonë. Mosangazhimi i institucioneve tona nuk është thjesht një neglizhencë, por një heqje dorë nga përgjegjësia historike,” tha Gruda./Gazeta Enigma/