Migrimi për kushte më të mira punë, e jetesa më dinjitoze në shtetet e jashtme, është bërë magnet i kapjes së të rinjëve që po lëshojnë Kosovën në kohët e fundit. Nga ikja e të rinjve shumë punëdhënës s’po gjejnë punëtorët adekuar, çka po i detyron ata shpeshherë të mbyllin edhe bizneset.
Prej vitit 2013, deri në dhjetor të vitit 2022, Kosovën e kanë lëshuar mbi 300 mijë qytetar.
Zgjidhjen e vetme e shohin ikjen nga Kosova
Blerim Osmani, 26 vjeçar në një deklarim për Gazetën Enigma thotë se punësimi në shtetet e jashtme do t’i ofronte një jetë më të mirë.
“Punësimi në shtetet e jashtme, sipas meje oshtë e vetmja mënyrë për me bo nji jetë dinjitoze. Me pas rrogën e mirë, me u vesh me u mbathë mirë, e mos me pas nevojë me ia zgjatë dorën askujt”, potencon ai.
Osmani thotë se i tërë sistemi social në vend, e ka lënë popullin mbrapa, dhe si pasojë nuk ka mirëqenie në vend.
“Në Kosovë, veç shkollën fillore dhe të mesme e ki pa pare, tjerat duhesh me kry vetë, prej zeros. E qëkjo oshtë krejt problemi se pse ka pa punësi në Kosovë, e pse s’bohet jetesë e mirë”, tha ai.
Bizneset “në hall” nga ikja e të rinjve
Maliq Kosumi, një shtetas zviceran me origjinë shqiptare, i cili është pronar i një furre dhe pastiçeria në qytetin e Gjilanit, thotë se ikja e të rinjve në nivel vendi po dëmton bizneset në përgjithësi, pasi mungesa e punëtorëve është e theksuar.
“Te unë ka shumë faktorë që më bëjnë mu ndi keq për standardin e punës në Kosovë. Në përgjithësi, mungon aftësimi profesional i shumë prej zanateve që ushtrohen këtu në Kosovë. Ikja e të rinjëve nga Kosova, është e padiskutueshme që po e dëmton edhe biznisin tim në aspektin e klasës punëtore. Unë personalisht si një punëdhënës, krejt raste që i kom që e kanë lanë punën, është ajo që iu kanë bo vizat gjermane”, tha Kosumi.
Ai thotë se ja ngritur pagat e punëtorëve me rritjen e inflacionit.
“Si pasojë, na e kemi gjetë alternativën, pasi që e kemi ngritë cmimin e shitjes, e si rrjedhojë janë rritë edhe pagat në atë nivel sa janë edhe kërkesat e klasës punëtore”, thekson ai.
Tutje Kosumi thotë se ikja e të rinjve po imponohet pasi nuk po krijon kushtet e duhura për punëtorët në Kosovë.
“Ikjën nuk e shikoj si dicka të keqe, ajo nuk kish’ ndodhë nëse ne kishim kriju kushte ma të mira. Shteti si shtet, nuk ka bo kurgjo në favor të qytetarëve të vet. Ka kriju këto ligje që nuk i përshtaten klasës punëtore në vend, që ne si punëdhënës vetëm i aplikojmë. Tash vendi po i pagunë penalltiat bumerang, gjë që oshtë shumë normale”, tha biznismeni gjilanas me nënshtetësi zvicerane.
Kosumi thotë se për të bërë një jetë të dinjitetshme në vend, paga minimale duhet të jetë së paku 700 euro, e pastaj nuk do të ketë ikjë të punëtorëve jashtë vendit.
“Me heqjen e viza, do shprazet Kosova”
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, tha për Gazetën Enigma, se fuqia punëtore në Kosovë, është në rënie e sipër, qysh prej një kohe të gjatë. Ai thotë se liberalizimi i vizave vetëm se do ta rrisë fluksin e ikjes nga vendi.
“Tash e një kohë të gjatë, fuqia punëtore në Kosovë është duke ikur. Liberalizimi i vizave vetëm sa do ta shpejtojë procesin e ikjes dhe do të ulë shpenzimet e atyre që kanë pritur në ambasada. Unë mendoj që muaji qershor, eventualisht korrik i 2024-ës, do të jetë edhe një fluk i ikjes, por vetëm i atyre punëtorëve gjysëm të kualifikur, pasi që ata që kanë qenë të kualifikuar, vetëm se e kanë bë një gjë të tillë”, tha Azemi.
Sipas tij, mirëqenia e vendeve perëndimore, është faktor kyç se pse po ikin punëtorët nga Kosova.
“Punëtorët po ikin sepse me një rrogë në Kosovë, nuk arrinë ta mbajë vetvetën, ndërsa me një rrogë në Gjermani, arrinë ta mbajë vetveten dhe familjet e tyre”, tha ai.
Azemi nuk po sheh përmirësim si nga pozita po edhe punëdhënësit se po krijojnë kushte për të parandaluar një gjë të tillë.
“Nuk ka shenja që Qeveria, apo punëdhënësit, do të krijojnë kushte më të mira, për parandalimin e ikjes së klasës punëtorë jashtë vendit. Prej vitit 2013 e tutje, Kosovën e kanë lëshuar 300 mijë punëtor”, përfundoi ai.
Si do ndikoj liberaizimi në trendin e ikjes së rinisë kosovare?
Profesori universitar, Arben Fetoshi thekson se liberalizimi I vizave, nuk do të thotë asnjëherë e drejtë pune jashtë vendit, e as nuk duhet shikuar si e tillë.
“Liberalizimi natyrisht se është me rëndësi për vizita te familjarët, për afaristët, studentët, artistët, etj., por kjo s’duhet kuptuar në asnjë mënyrë si e drejtë për punë. Në këtë rast pasojat do të jenë të rënda për secilin që shkel rregullat, ndërsa një fluks i madh do ta dëmtonte edhe më shumë imazhin e Kosovës, ” tha Fetoshi për Gazetën Enigma.
Tutje, ai tha se ikja e të rinjëve është shqetësuese, por liberalizimi është një e drejtë e vonuar për qytetarët e Kosovës.
“Përmasat e largimit të të rinjve nga vendi janë bërë shqetësuese, por vendimi tashmë i vonuar i BE-së për liberalizimin e vizave është me rëndësi politike, ekonomike dhe socio-kulturore. Jo vetëm si e drejtë e mohuar gjatë për qytetarët, por edhe si mundësi shkëmbimi e përfitimi të ndërsjellë”, tha ai.
Fetoshi thotë se Qeveria duhet të realizoj një fushatë vetdijësuese për ata që duan ta lënë vendin, pas heqjes së vizave.
“Pas 1 janarit të vitit të ardhshëm njerëzit tanë mund të dalin me entuziazëm e ta ndjejnë më shumë lirinë, mirëpo ata nuk kanë të drejtë pune apo të drejtë qëndrimi më shumë se 90 ditë në shtetet e zonës Schengen. Para fillimit të lëvizjës së lirë, qeveria duhet të realizojë një fushatë vetëdijesimi për atë që nënkupton libralizimi i vizave, në mënyrë që qytetarët të mos viktimizohen nga mungesa e informatave”, përfundoi ai./ Gazeta Enigma