Parlamenti Evropian sot ka miratuar rezolutën për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Rezoluta e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës nga “banda e armatosur serbe në mes të operacionit më të madh të kontrabandës së armëve” në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator e që rezultoi me vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve tjerë.
Rezoluta u miratua me ngritjen e dorës, kështu që pa numër votash.
Për miratimin e kësaj rezolute ka njoftuar edhe eurodeputeti Vladimír Bilčík, i cili është raportues për Serbinë në PE.
“Parlamenti Europian miratoi rezolutën për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë. Ne kemi nevojë për një hetim të plotë të sulmit në Banjska dhe dhënien e drejtësisë. Beogradi dhe Prishtina duhet gjithashtu të kthehen në një dialog paqësor dhe konstruktiv të lehtësuar nga BE”, ka shkruar ai.