Partive u kërkohet t’i kenë 50% gra në lista zgjedhore, deputetet e mirëpresin idenë

Partive u kërkohet t’i kenë 50% gra në lista zgjedhore, deputetet e mirëpresin idenë


Subjekteve politike të Kosovës u është kërkuar që lista e kandidatëve për deputet të jenë të ndara në mënyrë të barabartë për dy gjinitë. E teksa kjo gjë është parë si sfiduese, partitë politike ende nuk janë deklaruar publikisht për këtë kërkesë.

Ndërkohë Gazeta Enigma ka folur me gra deputete të Kuvendit të Kosovës, të cilat e kanë mirëpritur idenë.

E përkundër që ligji aktual kërkon 30% përfaqësim të grave në Kuvend, nga Demokracia në Veprim është theksuar se “kjo nuk do të duhej t’i kufizojë ambicien e subjekteve politike për të përfshirë sa më shumë gra, dhe për të tentuar krijimin e listave sipas modelit Zebër.

Ky model, me renditje të barabartë mes grave dhe burrave – ku çdo i dyti kandidat është i gjinisë tjetër – do të garantonte një përfaqësim më të drejtë gjinor dhe do të siguronte që gratë të kenë një mundësi më të madhe për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj mbështetë këtë ide, por vë në dukje sfidat me të cilat përballen gratë në politikë.

“Kjo nuk është inciativa e parë se në fakt edhe në Ligjin për Barazi Gjinore parashihet që në listat zgjedhore dhe në vendim-marrje përfaqësimi i grave me qenë 50% me qenë se 50% e popullatës së Republikës së Kosovës janë gra. Por, sa janë të përgatitura subjektet politike që në listat zgjedhore të jetë përfaqësimi 50% lë për të dëshiruar”, ka thënë deputetja Kadriaj për Gazetën Enigma.

Ajo thotë se ka raste kur vet gratë hezitojnë të jenë pjesë e listës zgjedhore. “Shpesh herë ndodh që gratë që ftohen në lista zgjedhore të tërhiqen nga gara politike gjatë proceseve zgjedhore, kur të kuptojnë që edhe kjo fushë nuk është e lehtë dhe ka problematikat e sfidat e veta”,

Ajo thotë se partia e saj AAK-ja e mirëpret këtë kërkesë për përfshirje të sa më shumë grave në listë. Deputetja nga radhët e AAK-së, i inkurajon të gjitha gratë që duan t’i futen kësaj fushe “të mos dorëzohen përkundër problemeve dhe sfidave që mund të shfaqën gjatë rrugëtimit politik për t’i arritur qëllimet e tyre”

“Politika është një maratonë, nuk është vetëm një mandat”

“Unë kërkoj nga gratë që duan t’i futen kësaj fushe të angazhohen shumë, të punojnë të mos ndalen sepse politika është një maratonë nuk është vetëm për një mandat, sepse shembull kemi gra që futen në lista zgjedhore në cilin do subjekt politik kur nuk fitojnë zhgënjehen megjithatë askush nuk e ka pas karrierën aq lehte, sepse kemi pas barriera por nuk jemi dorëzuar, kemi punuar vazhdimisht. Unë herën e parë si deputete kam hyrë me kuotë gjinore por më pas, me angazhim të madh e me punë herëve të tjera kam fituar vota si numër e jo si kuotë gjinore. Nëse dëshirojnë me i arritë qëllimet duhet të angazhohen, të punojnë e të mos ndalen asnjëherë nëse dëshirojnë me i arritë qëllimet e tyre”, përfundoi Kadriaj.

Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e përkrah parimisht idenë, por thekson rëndësinë e cilësisë dhe meritokracisë në përzgjedhjen e kandidatëve.

“Sa më përket mua edhe pse jam më shumë idhëtare e cilësisë dhe meritokracisë sesa sasisë dhe fotografisë, edhe brenda strukturave e përkrahi në parim këtë ide, por që vendimet në demokraci të merren me votë dhe pastaj presim vendimet e organeve drejtuese të partisë”, u shpreh Musliu për Enigmën.

Në Kosovë organizatat që merren me çështjet e barazisë gjinore shprehin shqetësimin me përfshirjen e paktë të grave në politikë dhe posaçërisht vendimmarrje, duke bërë thirrje për ndryshim të kësaj kulture si domosdoshmëri për zhvillim të demokracisë në vend.

Në procesin e kaluar zgjedhor 39 gra arritën të kenë një vend në parlamentin e Kosovës, 13 prej tyre me kuotën gjinore dhe 26 me numrin e lartë të votave. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles