Këtë të shtunë në ora 8:00, pas 12 dite bllokadë, Njësia Speciale Policës do të largohen nga vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, bashkë me barrikadat, e aty do të vendoset KFOR-i, shkruan Gazeta Enigma.
Kjo është pika e parë nga tri sa janë gjithsejtë si pjesë e marrëveshjes mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel të enjten më 30 shtator për targat.
Sipas pikës 2 të kësaj ujdie, nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.
Ndërkaq, në pikën tre thuhet se palët e dy shteteve do të takohen më 21 tetor për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave.
Deklarimet e Kurtit dhe Sveçlës pas arritjes së marrëveshjes për targa
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar marrëveshjen me Serbinë lidhur me reciprocitetin për targa. Ai ka thënë se meqë bllokada po largohet, njësitë speciale s’kanë pse qëndrojnë në Veri.
“Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndërsa ka deklaruar se meqë targave të Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë.
“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, ka thënë se nga data 4 tetor, secilës tabel të automjeteve të Serbisë pa dallim do t’i mbulohet shenja shtetërore.
“Nga 4 tetori, çdo tabele automjeti të Serbisë ne ia mbulojmë shenjën shtetërore. Nuk na interesojnë të tjerat aty. Nuk ka tabela pak më të mira e aso pak më të këqija të Serbisë”, ka thënë Sveçla përmes një statusi në Facebook.
Ai është deklaruar edhe për Njësin Speciale të Kosovës, të cilët sipas tij nuk kanë nevojë të qëndrojnë në veri, pas tërheqjes së barrikadave.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, e cila që nga dita e parë ka ruajtur rendin dhe sigurinë në vend, më nuk do të ketë nevojë të qëndrojë aty”, është shprehur ai.
Reagimi i Vuçiç-it pas arritjes së marrëveshjes
“Tërheqja e ROSU-s është paraparë, dhe kjo është treguesi i qartë që në të ardhmen, veprime të tilla nga shqiptarët do të hasin në rezistencë nga popullata serbe”.
Kështu u deklarua Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas tërheqjes së Njësive Elite Speciale nga Jarinje dhe Bërnjaku.
Ai heqjen së barikadave nga serbët, e quajti “sukses të madh nga ana jonë”.
Presidenti i Serbisë tha se nuk do të ketë më targa të përkohshme, as heqje të targave, e “sidomos jo heqje të targave KM (Kosovska Mitrovica) të lëshuara nga Beogradi”.
”Disavantazhet e marrëveshjes që është arritur janë dy. Njëra është se një zgjidhje më e vështirë do të duhet të arrihet në një periudhë prej 6 muajsh, në marrëveshje dhe atë që marrëveshja lejon përdorimin e të gjitha tabelave, por në praktikë është mjaft e qartë se ato mund të përdoren vetëm në Kosovën veriore” – tha Vuçiç.
Marrëveshja për targa mirëpritet nga ndërkombëtarët
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka mirëpritur marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Tëitter.
Përshëndetje për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë ka pasur edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe.
“Lajm i mirë nga Brukseli – një shembull se si ri-angazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Falënderojë Lajçakun që lehtësoi arritjen e marrëveshjes dhe partnerët kosovarë dhe serbë për gatishmërinë dhe zgjuarsinë e tyre për të negociuar”, ka shkruar Giacobbe në Twitter.
Marrëveshjen në mes të dy vendeve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, e ka mirëpritur edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e cilësuar atë si një lajmë shumë të mirë për rajonin.
“Është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti. Është mirë për gjithë rajonin. Dialogu tash duhet të vazhdojë”, ka shkruar von der Leyen në Tëitter.
Edhe Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Anthony Godfrey, e ka cilësuar si lajm të shkëlqyer marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Çdo gjë është e mundur përmes një dialogu serioz dhe të përkushtuar”, ka shkruar Godfrey në Tëitter.
Por si filloi e gjithë kjo?
Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak, për të filluar reciprocitetin e targave.
Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda territorit të Kosovës.
Pas vendosjes së masave të reciprocitetit, qytetarë serbë u grumbulluan afër pikave kufitare në Veri, duke i bllokuar rrugët me kamionë si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Protestuesit serb nuk mbetën të vetëm, reagimi i shtetit serb ishte i menjëhershëm.
Serbia, me anë të helikopterëve ushtarak e avionëve të prodhimit rus MIG-29 provokoi situatën në veri të vendit.
Si pjesë e kërcënimeve, Serbia dërgoi një divizion të tankeve në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi nga qyteza e Rashkës.
Ndërsa kërcënimet nga Serbia vazhdonin, përbrenda Kosovës, Lista Serbe vendosi billborda në komuna me shumicë serbe ku shkruhej “Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”. /Gazeta Enigma/