Të martën ka hyrë kamioni i parë me malltra serbe në Merdare, raporton Gazeta Enigma.
Kjo pasi ka nisur zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e masës për mallrat serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të hënën se në pikën kufitare me Serbinë, Merdare, do të ndryshohet masa e sigurisë për mallrat që nisen nga ky vend.
Ai ka thënë se Qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar, deri në sigurim të skanerëve të avancuar.
“Kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por përderisa nuk na vijnë skanerët, ne do ta hapim vetëm një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që kemi janë masa të sigurisë”.
Serbia ka reaguar pas vendimit, duke thënë se është hequr tensioni që ka ekzistuar për kohë të gjatë.
Kurti ka thënë se pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurim të skanerëve në kufi, për të garantuar që mallrat që hyjnë prej Serbisë nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.
Sipas Kurtit, masa kufizuese nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë.
“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”. / Gazeta Enigma.