Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli të shtunën rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve Lokale për kryetarë të 20 nga 21 komunat, të cilat u mbajtën më 14 nëntor 2021, raporton Gazeta “Enigma”.
Gjatë kësaj kohe, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë deponuar dy ankesa.
Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku, ka thënë për Gazeta “Enigma” se ankesat kanë qenë për komunën e Prizrenit dhe Kllokotit.
“Ju informoj se PZAP-i brenda afatit prej 24 orëve ka pranuar 2 apele kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetar të komunave. 1 për Prizren, nga subjekti politik LVV dhe 1 për Kllokot nga subjekti politik GI Srpska Narodna Sloga. Ndërsa subjekti politik JGP Jedinstvena Goranska Partija në Dragash ka paraqitur një ankesë për rishqyrtimin e vendimit të PZAP-it lidhur me votat me poste të votuesve jashtë Kosovës”, ka thënë ai për “Enigmën”. / Gazeta Enigma.