PDK e AAK të bindur se qytetarët se duan qeverisjen e VV-së

PDK e AAK të bindur se qytetarët se duan qeverisjen e VV-së

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po i shohin zgjedhjet e 14 nëntorit si rritje dhe forcim në votat elektorale, ndonëse të dyja partitë e kanë humbur nga një bastion.



PDK e AAK thonë se këto zgjedhje i shohin si rritje dhe forcim të opozitarizmit në Kosovë, me ç’rast shprehen të gatshme që të bashkëpunojnë për tema në interes të vendit.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Avdullahu, ka thënë për Ekonomia Online se qytetarët në zgjedhjet lokale nuk e kanë preferuar një lloj qeverisje të cilën e kanë parë tash e 8 muaj.

“Ne si parti më e madhe opozitare që nga zgjedhjet e 14 shkurtit dolëm partia më e madhe dhe kjo është inkurajim për ne. Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë rast është se është forcuar opozita në përgjithësi në Kosovë. Është forcuar edhe PDK-ja gjë që më jep të drejtë të vijë te konstatimi se është forcuar opozita në Kosovë rrjedhimisht edhe demokracia dhe proceset demokratike”, ka thënë Abdullahu.

“Duket se qytetari me votën e tij në zgjedhjet fundit lokale nuk ka preferuar një lloj qeverisje të cilën e ka parë tash e 8 muaj. Arsyet janë nga më të ndryshme. Ajo pse ka fituar PDK-ja është se ne kemi ofruar një alternativë fleksibile dhe të afërt e të besueshme për qytetarin e Kosovës. Ne kemi ofruar kandidatët më të mirë dhe me përvojë dhe të rijnë dhe i është besuar PDK-së që të jetë sa më afër qytetarit. Kjo na jep si shtytje për të vazhduar tutje. Ky është një lloj miratimi se ndryshimet që i kemi filluar si PDK qytetari i ka detektuar dhe më votën e tij i ka miratuar këto ndryshime”, u shpreh ai.

Abdullahu ka folur edhe për reformat në parti, duke thënë se PDK-ja do të ketë një kabinet më të gjerë të kryetarit Memli Krasniqi.

Ndërkaq thotë se të bërit opozitë në Kuvend nuk do të jetë puna e vetme, por që shton se do të jenë edhe një Qeveri në hije, praktikë kjo e zhvilluar për disa vite rresht.

“Ne do të kemi edhe një kabinet më të gjerë të kryetarit Krasniqi. Ne do të kemi një qeveri në hije që është një praktikë të cilën e ka zbatuar PDK-ja edhe më herët dhe ne besojmë që do të jemi në opozitarizëm shumë më të suksesshëm në raport me punën tonë përkatësisht do të jemi kritikë ndaj veprimeve të qeverisë me këtë institucion të veçantë që është qeveria në hije e që do të bëhet në fillimin e vitit të ardhshëm”, tha ai.

Sipas tij, PDK-ja e ka të hapur derën për kuadro të reja. Ai tha se një parti që bëhet qeverisje e ka të pamundur të çlirohet nga ideologjia korruptive e cila gënjen mashtron.

“Ndryshimet sjellin kuadro të reja dhe ajo çfarë po ndodh edhe në PDK është të kemi kuadro të reja. Pra PDK e ka derën e hapur për kuadro të reja. Këto zgjedhje i kemi lexuar drejt po të njëjtën e kemi bërë edhe në zgjedhjet e parafundit. Dhe ato na bëjnë që të mos ngutemi në veprimet që ndërmarrim. Në i bëjmë ndryshimet se janë më të mira. Kur është fjala te skena politike, qeverisja, opozitarizmi ne duhet ta kuptojmë se një parti politike cila do qoftë e ka më të lehtë ti largojë njerëz që janë ndesh me ligjin”

“Por një parti politike e ka shumë të vështirë por edhe të pamundur që të çlirohet nga idetë korruptive. Një parti që bëhet edhe qeverisje e ka pothuajse të pamundur të çlirohet nga ideologjia korruptive e konvertuar në qeverisje e cila gënjen mashtron dhe mendon që punët e mira kryhen me fjalë e që qytetari e kupton shumë më shpejt sesa gjëra të tjera dhe reagon ashtu sikur reagoi në zgjedhjet e fundit”.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Avdullahu

E deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë se në zgjedhjet lokale kanë dalë partia e tretë duke e dyfishuar numrin e votave prej mandatit të zgjedhjeve nacionale.

“Ne kemi dalë partia e tretë në këto zgjedhje me numrin e komunave të fituara dhe jemi dyfishuar me numrin e votave prej mandatit të zgjedhjeve nacionale tash në zgjedhjet lokale dhe AAK-ja e ka një qëndrueshmëri politike dhe tash e kemi parë se me këto zgjedhje prej një mandati në mandatin tjetër ne i kemi dyfishuar votat”, tha Kadriaj.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj

Related Articles