Brenda 24 orëve, në adresë të Policisë së Kosovës janë raportuar pesë raste të dhunës në familje, ku viktima kryesisht ishte grua, raporton Gazeta “Enigma”.
Në Vushtrri është arrestuar një person pasi e ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Asaj i është ofruar ndihmë mjekësore dhe së bashku me fëmijët është dërguar në strehimore.
“Vushtrri, 17.01.2022-09:30.Viktima femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar e ka sulmuar fizikisht me ç ‘rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor e më pas së bashku me katër fëmijët e sajë është vendosur në strehimore. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq në Pejë është arrestuar një person për sulm fizik ndaj bashkëshortes.
“Pejë,16.01.2022-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi qe i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa, me vendim te prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje”, njofton policia.
Në Viti është arrestuar një person pasi kanosi prindërit e tij.
“Viti, 17.01.2022-10:00.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar me probleme psikike pasi që i njëjti ka kanosur prindërit e tij. Me vendim te prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në një rast tjetër në Viti një grua raportoi në polici sulmin fizik nga babai i saj.
“Viti, 17.01.2022-17:45.Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga prindi i saj i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim te prokurorit rasti shkon në procedure të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe në Graçanicë një shtetase e Turqisë ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga burri me të cilin bashkëjetonte.
“Graqanicë, 17.01.2022-13:00.Viktima femër shtetase e Turqisë, ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar me te cilin ka bashkëjetuar. Nuk raportohet për të lënduar, rasti nen hetime nga njësitë relevante”, thuhet në njoftim. / Gazeta Enigma.