Për dy muaj 43 mjekë braktisin Kosovën, rreth 360 deklarohen të papunë

<strong>Për dy muaj 43 mjekë braktisin Kosovën, rreth 360 deklarohen të papunë</strong>

Kosova vazhdon të përballet me ikjen e mjekëve nga vendi, shkruan Gazeta Enigma.

Kjo ikje e personelit shëndetësor po shkakton mungesë të stafit esencial nëpër spitale dhe QKMF në disa komuna.

Ekspertët vlerësojnë se kjo ka kontribuuar që gjendja e shëndetësisë në Kosovë vazhdon të jetë alarmante.

Që nga muaji janar i këtij vitit, 43 mjekë kanë lënë institucionet shëndetësore, 24 në muajin janar dhe 19 gjatë muajit shkurt.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Gazetën “Enigma”, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Sipas tij aktualisht në vendin tonë rreth 360 mjekë janë deklaruar si të papunë. Arsyet e largimit të mjekëve nga vendi janë papunësia, kushtet e punës dhe niveli i pagave.

“Arsyet kryesore të ikjes së mjekëve sipas sondazhit që e bëjmë ne në  vazhdimësi. Nën një është papunësia, ku ne në listat tona kemi të deklaruar rreth 360 mjekë që janë të papunë. Nën dy janë kushtet e punës dhe kushtet e specializimit, dhe e treta është niveli i pagave”, ka deklaruar Sejdiu.

Tutje ai ka theksuar se sipas sondazheve të tyre “vetëm prej 1 janarit e deri më sot kemi 43 mjekë të cilët janë larguar”.

Tutje Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës ka treguar arsyen e mungesë së mjekëve në disa spitale rajonale.

“Spitalet punësojnë në bazë të legjislacionit në fuqi deri më tani janë kërkuar vetëm specialist. Specialist të pa punë ka shumë pak, prej tyre 10 deri 12 mund të jenë, por spitalet janë të ngopura, pra nuk janë të nevojshëm në spitale rajonale”, tha ai.

“Të pa punët i kemi ata që janë pa specializime, pra mjekë të përgjithshëm, të cilët do të duhej të punësoheshin në shtëpi të shëndetit jo në spitale”, ka theksuar Sejdiu për “Enigmën”.

Sistematizimi i disa profileve nga QKUK-ja nëpër spitale rajonale është e vetmja mënyrë për plotësimin e këtyre vendeve të punë sipas Sejdiut.

“Kjo mungesë është bërë me një faj, është çështja e sistematizimit të vendeve të punës ku kemi mbingarkesë edhe me specialist të disa lëmive në QKUK në Prishtinë dhe mungesave që janë rajon”, pohoi ai.

“Mënyra e vetme e cila do të plotësonte këto vende të punës nëpër spitale rajonale do të ishte vetëm sistematizimi i disa profileve nga QKUK-ja nëpër spitalet rajonale. Momentalisht nuk ka mundësi tjetër përveç risistematizim”, ka përfunduar Sejdiu.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, i cili ka theksuar se ikja e mjekëve nga vendi vjen si pasojë e pagës së vogël të tyre në raport me angazhimin që ata e kanë.

“Mjekët ikin nga Kosova për shkak të mungesës së kushteve normale për punë dhe për shkak të pagë vogël në raport me angazhimin të cilin e kanë”, tha ai.

Tutje ai ka shtuar se “një gjë e tillë nuk ka guxuar që të ndodh, nuk ka guxuar që të prolongohet edhe në këtë muaj ligji për pagesën adekuate, ku mesa duket edhe në këtë muaj rrogat do të jenë me koeficientin e vjetër siç kanë qenë më herët”.

Përveç pagës së vogël dhe koeficientit të pandryshuar deri më tani në ikjen e mjekëve sipas Dreshajt ka ndikuar edhe kushtet e punës dhe ngarkesa shumë e madhe.

“E dyta, kushtet e punës janë të dobëta dhe nën tre ngarkesa është shumë e madhe. Këto janë arsyet kryesore pse mjekët tanë po e lëshojnë vendin dhe po shkojnë drejt perëndimit”, ka deklaruar Dreshaj për “Enigmën”.

Sipas tij në ikjen e mjekëve nga Kosova ka ndikuar edhe politika e gabuar që po bëhet aktualisht.

“Këto janë politika të gabuara që janë duke u bërë në vend, dhe për këtë arsye edhe po ndodh kjo”, ka theksuar ai.

Dreshaj tutje ka folur për problemin kyç në lidhje me ikjen e mjekëve dhe ka treguar se si mund të arrihet një zgjidhje për këtë problem.

“Pika e parë ne kemi mjekë të papunë dhe kemi vende të lira të punës, ky është problemi. Kjo është qasja jo e mirë që i është bërë shëndetësisë kosovare”, tha Dreshaj.

“Pra ai që është në marrëdhënie pune duhet të ketë pagën e dinjitetshme, të ketë kushtet e punës si duhet dhe ta ndiejnë veten mirë në raport me profesionin të cilin e ushtron”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023, ku përfshihet edhe koeficienti të ketë vlerën 105 euro.

Pas miratimit të vlerës së koeficientit, pagat në sektorin publik për muajin shkurt do të dalin sipas Ligjit të Pagave.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles