Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila së fundi foli për dialogun me Serbinë, duke thënë se dialogu duhet të rinisë me parime të qarta dhe me unitet brenda spektrit politik.
“Ky është një proces që ka filluar shumë që një kohë shumë të gjatë, por që definitivisht duhet të ketë një rifillim me parime të vendosura qartë dhe me unitet brenda spektrit politik të Kosovës. Është kompetencë e Qeverisë së Kosovës, prandaj edhe së shpejti pritet që Qeveria ta prezantojë qëndrimin e saj në raport me dialogun. Ne në Kuvendin e Kosovës mbesim të përkushtuar që në çështjet e dialogut, dhe jo vetëm, si shumicë të ngrisim grupet punuese dhe të kemi një kompromis. Një mori temash që kanë mbetur nga legjislatura në legjislaturë nuk kanë arritur të përmbyllen apo as të fillojnë të trajtohen”, ka thënë ndër tjera Kusari-Lila.
Ajo tutje tha se pozita dhe opozita duhet ta shtjerrin debatin dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët për çështje të rëndësisë nacionale, si çështja e dialogut me Serbinë.
Pas kësaj ka reaguar edhe sekretari i përgjithshëm i Nisma-s, Bilall Sherifi, i cili u shpreh se Vetëvendosje po përgatitet për kompromise të reja me Serbinë.
Lidhur me këtë në një prononcim për “Gazeta Blic“, drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj ka thënë se dialogu me Serbinë është interes i Kosovës, dhe se një marrëveshje finale do të promovonte shtetësinë në arenën ndërkombëtare, përfshi ulësen në OKB.
“Dialogu Kosovë-Serbi është interes i Republikës së Kosovës, dhe marrëveshja finale që do të promovonte shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshi ulësen në OKB do të i hapte rrugë Kosovës në sfera të ndryshme që do të kishin ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarëve.”, u shpreh Miftaraj.
Ai tutje tha se barra kryesore në këtë proces i takon partisë në pushtet për të ndërtuar konsensus nacional.
“Mbi këtë premisë edhe përfshirja e spektrit politik pozitë-opozitë do të ishte garancë për zbatimin e marrrëveshjes eventuale. Sikurse, barra kryesore në këtë proces i takon partisë në pushtet për të ndërtuar konsensus nacional dhe gjetur mënyra për të fituar besimin e partive opozitare dhe publikut“, tha Miftaraj