Asnjë i vdekur nga COVID-19 nuk u raportua përgjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë.
Një këso shifre nuk u pa që prej 9 gushtit, ngase pas kësaj date numrat e të prekurve filluan të rriten dukshëm dhe kështu edhe i jetëve të humbura nga virusi.
Përhapja masive e variantit Delta bëri që situata epidemiologjike të ashpërsohet në Kosovë dhe spitalet të mbushen shumë më shumë krahasuar me valët e të tjera të pandemisë.
Si e tillë, në fundin e gushtit u regjistrua edhe shifra e zezë rekorde e të vdekurve, 36 qytetarë u raportuan me 29 gusht se nuk i mbijetuan sëmundjes COVID-19.
Ky trend i vdekjeve me numra dy shifrorë zgjati edhe në pjesën më të madhe të muajit shtator, ani se numrat e rasteve të reja me virus kishin nisur të bien.
Reflektimi i rënies së numrave të të infektuarve në raport me atyre të vdekjeve u pa pothuajse në fund të shtatorit, ku tashmë humbjet e jetëve preknin vetëm numrat njëshifrorë.
Ndërkaq nga 9 gushti dhe deri sot janë shënuar 694 viktima nga koronavirusi.