Përpjekja e radhës e Vuçiq për destabilizim të Kosovës po kalon “në vesh të shurdhër” nga BE-ja

Përpjekja e radhës e Vuçiq për destabilizim të Kosovës po kalon “në vesh të shurdhër” nga BE-ja

Më 13 shtator(e premte), me një adresim publik, president serb, Aleksandër Vuçiq, ka shpalosur shtatë kërkesat për  “tejkalimin e situates së krijuar në Kosovë nga veprimet e institucioneve të Kosovës, të cilat ai i quajti “organe të përkohshme të qeverisjes”, shkruan Gazeta Enigma.

Vuçiq ka thënë se përmbushja e këtyre kërkesave është “parakusht i domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Shtatë kërkesat e paraqitura nga Vuçiqi janë:

  • Shpallja dhe mbajtja e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian;
  • Kthimi i serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore;
  • Tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës;
  • Tërheqja e Policisë së Kosovës nga të gjitha institucionet, të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme të tyre, në vitin 2024, ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët;
  • Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe;
  • Zbatimi i menjëhershëm të garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të 28 dhjetorit të vitit 2022 dhe lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
  • kryerja e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbe, dinarë.

Brukseli ka mirëpritur thirrjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet në Kosovë dhe kthim të tyre në institucionet nga të cilët ishin larguar në vitin 2022.

“Ne mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për vazhdimin e angazhimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mënyrë pozitive vërejmë edhe ftesën për serbët e Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës nga të cilat ishin larguar në vitin 2022. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka ftuar Beogradin që të inkurajojë dhe Prishtinën që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës”, ka thënë Stano dhe ka shtuar se procedurat e nevojshme janë pjesë përbërëse edhe nga marrëveshjet e dialogut.

 “Marrëveshjet nga dialogu përmbajnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe respekt të kornizës ligjore të Kosovës. Në këtë kontekst implementimi i Bashkësisë/Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano në emër të BE-së ka përsëritur thirrjet që palët të përmbahen nga ajo që e ka quajtur “retorika nxitëse dhe mashtruese”, si dhe nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat shkojnë kundër dialogut dhe vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe sigurinë e qytetarëve.

Njohësi i politikave ndërkombëtare, Amir Shabani, ka thënë për Gazetën Enigma se shtatë kërkesat e Vuçiqit janë kërkesa të vjetra, dhe se nuk mund t’i realizojë me Qeverinë e Kurtit.

“Sa i përket shtatë kërkesave të parashtruara nga Vuçiqi për Kosovën si parakusht drejt përparimit të dialogut ne Kosovën, mendoj se nuk zënë vend dhe janë kërkesa të ripërsëritura të cilat duket se e ka të vështirë t’i realizojë me qeverinë aktuale të Kosovës”, tha ai.

Shabani e ka quajtur “paradoksale” faktin që BE i ka mirëpritur këto kërkesa, teksa tha se ndërkombëtarët duhet dënuar këtë tentativë të Serbisë për destabilizim.

“Paradoksale është fakti se BE-ja i mirëpret këto kërkesa kur dihet se Serbia është aleat publik i Rusisë, vendi i vetëm në rajon që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, përkundër gjithë shteteve perëndimore që kanë ndërmarrur një veprim të tillë. Faktori ndërkombëtar duhet ta dënojë këtë tentativë të radhës të Serbisë për destabilizim, pasiqë kjo nuk përkon me asnjë normë dhe akt diplomatik, përkundrazi shkakton konflikt”, shtoi ai.

“Serbia ka penguar integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, nxit gjuhë të urrejtjes, personat me dosje kriminele kanë bërë vjedhje masive të fondeve, madje edhe pakicës serbe që jetojnë në Kosovë ua ka vështirësuar gjendjen. Synimi i tij i qartë është ta pengojë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ta bllokojë çdo proces integrues, destabilizim në rajon në sinkronizim të plotë me ndikimin e Rusisë.

Tutje ai shton se “Duke e ditur se Republika e Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, me aleatët e saj perëndimorë është pala që vazhdimisht kanoset nga agresori shekullor dhe një rrezik të tillë duhet ta parandalojnë SHBA-të dhe BE-ja me mekanizmat e tyre diplomatike dhe sanksionuese ndaj Serbisë”.

Profesori amerikan, Danier Serwer, tha se me 7 kërkesat, Vuçiq synon ta kundërshtoj pavarësinë e Kosovës. E për këtë ai thotë se Ëashingtoni nuk duhet “ta përkëdhel” Serbinë, por ta kundështoj atë në përpjekjet për destabilizim. 

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq javën e kaluar bëri të ditura masat me të cilat synon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Ai s’është më i kënaqur me refuzimin e njohjes së Kosovës, por dëshiron të marrë të paktën një pjesë të saj. Ndërkohë, ambasada amerikane në Beograd vazhdon të shprehë besimin se ajo po e çon Serbinë drejt Perëndimit”, shkroi ai.

Serëer thotë se Uashingtoni duhet të rivendosë politikën e tij për Ballkanin në drejtime më koherente, duke i mbështetur sipas tij përpjekjet e Prishtinës për të qeverisur në mënyrë të barabartë në veri të Kosovës dhe të ndihmojë në planifikimin e lëvizjeve të ardhshme në atë drejtim.

Serëer foli për mënyrat se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ushtron sovranitetin në veri e shqetësojnë Perëndimin, por thotë se Kurti “pa mëdyshje” rreshtohet kah Perëndimi.

“Kosova, ku ndërrimi i pushtetit ka ndodhur disa herë, ka një kryeministër popullor, i cili ushtron autoritet sovran në veriun e Kosovës me shumicë serbe në mënyra që u japin shqetësime amerikanëve dhe evropianëve. Ata duan që ai të konsultohet dhe të marrë leje për çdo gjë që bën që mund të shqetësojë ose serbët e Kosovës ose Beogradin. Ai nuk ka qenë i gatshëm ta bëjë këtë. Por kryeministri Kurti gjithsesi rreshtohet pa mëdyshje me Perëndimin. Ai nuk ka alternativë”, ka thënë ai.

Ndërkohë Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka quajtur skenë teatrale, paraqitjen e Vuçiq para mediave, ku shpalosi kërkesat.

“Gjatë konferencës së tij teatrale, Vuçiçi na tregoi dje se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare”, tha ajo.

Gërvalla ka kërkuar nga Perëndimi që të reagojnë ndaj retorikës së tij armiqësore.

“Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandar Vuçiqit karshi Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Kurti e cilëson fushatë agresive për konflikte të reja deklarimin e Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se masat e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq për Kosovën janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja. Teksa përmendi tri kushtet e tij, shefi i ekzekutivit u shpreh se të njëjtat janë racionale e paqësore.

“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë, e që janë kushte paqësore dhe racionale, do të thotë janë dorëzimi në autoritetet kosovare i Millan Radojiçiqit, është nënshkrimi i Marrëveshjes dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Ato tri kushte janë paqësore dhe racionale. Ndërkaq ato kërkesat e tij, masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin jo-racionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Kurse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk ka interesim që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet kosovare.

Në një adresim për media, presidentja Osmani tha se janë të interesuar që serbët të kthehen në institucione, ndërsa Kosovën e cilëson multietnike. 

“Në asnjë moment nuk e besoj që Vuçiqi është i interesuar që serbët të kthehen në institucione. Ne jemi të interesuar që serbët të jenë në institucione, gjë që ju takon edhe me Kushtetutë edhe me pako të Ahtisarit. Kosova është multietnike jo përse thotë Vuçiqi por që u takon me Kushtetutë. Në asnjë moment nuk besoj që Vuçiqi e ka atë qëllim, ai po duket po punon vetëm në destabilizim të rajonit dhe kthim në vitet e 90-ta”, u shpreh Osmani.

Përndryshe, Vuçiq ka thënë se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të “shpallur krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.

“Ne do të rrisim ndihmën dhe mbështetjen tonë për popullsinë në mënyrë dramatike. Tani, do të ndajmë për një grup prej 5.000 personash të papunë një mbështetje mujore prej 20 mijë dinarësh (170 eurosh)… çdo dinarë do ta marrin vetëm ata që jetojnë në Kosovë”, ka thënë presidenti serb. /Gazeta Enigma/

Related Articles