Përplasjet Kurti – Rama, sinjal se marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri, janë në ‘fund të pusit’

Përplasjet Kurti – Rama, sinjal se marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri, janë në ‘fund të pusit’

Një përçarje e re midis dy krerëve, atij të Shqipërisë Edi Rama, dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti u shpërfaq të martën, gjatë vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, në Tiranë, shkruan Gazeta “Enigma”.

“Mollë sherri” midis dy liderëve, Kurti – Rama, u bë pikërisht iniciativa “Open Balkan”, të cilën e ka nisur Rama-Zaev-Vuçiq, e e ka refuzuar tashmë disa herë Kurti.

“Thumbimet” midis Kurtit e Ramës, të bëra të martën në Tiranë, sipas analistit Rasim Alija shpërfaqin faktin se marrëdhëniet Kosovë – Serbi janë në pikën më të ulët.

Alija në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se këto përplasje në thelb e kanë protagonizmin.

“Përçarjet Kurti e Rama, janë shumë më shumë, kundërshti që në thelb e kanë protagonizmin. Si duket z. Rama nuk po mësohet me faktin që kryeministër i Kosovës është dikush që nuk mjaftohet vetëm me Kosovën si hapësirë politike, por që ambiciet i ka gjithmonë përtej. Dhe kjo po shihet si një sulm protagonizmit të z. Rama. Padyshim që krejt kjo marrëdhënie me përplasje, e me luftë protagonizmi, ka lënë shenja në marrëdhëniet edhe institucionale”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se “Është një perceptim në rritje që marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri, janë në piken me te ulet! Kjo mund të shihet edhe me nga vizitat zyrtare ndërmjet dy vendeve, e mund te ndjehet edhe në praktike, që marrëdhëniet edhe me të thjeshta ndërmjet dy vendeve, kanë filluar të bëhen të komplikuara”.

Thumbimet e Ramës kundrejt Kurtit

Në takimin me kancelaren Merkel, kryeministri Rama ka treguar se çfarë objektivash ka qeveria e tij për të çuar përpara arritjet e procesit të Berlinit, duke u fokusuar në bashkëpunimin rajonal dhe elasticitetin e ekonomisë.

Rama ka deklaruar se duhet të nënshkruhet marrëveshja për tregun e përbashkët rajonal mes 6 vendeve. Ndër të tjera shtoi se një nga pengesat ka qenë Serbia që nuk lejonte lëvizjen e lirë të njerëzve.

Nga ana tjetër, ai nuk hezitoi të thumbonte kryeministrin e Kosovës Albin Kurti duke i thënë se bën teori konspiracioni për “Open Balkan”.

“Kancelarja me të drejtë i mëshon në mënyrë të vazhdueshme nevojës që 6 vendet të nënshkruajnë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal. Procesi i dakordësimit është i ngatërrimit dhe ajo që kemi parë në të shkuarën është që një vend apo tjetër bën që të gjithë të ngecin prandaj Ballkani i Hapur nuk është krijuar për të përjashtuar njeri por për të mos u varur nga vetot e njërit apo teoritë e konspiracionit të tjetrit”, deklaroi Rama.

Ndalimi i pyetje të gazetarëve nga Kosova

Përpos përplasjeve që kishte me kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, Rama nuk ndaloi me kaq.

Sipas gazetarëve të pranishëm në konferencën e Merkel dhe Ramës, iu pamundësua që të bënin pyetje në konferencë, gazetarëve nga Kosova.

Për këtë veprim të Ramës si nikoqir i takimit, ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve.

Përmes një postimi në Twitter, Sekretari Gjeneral i kësaj organizate e ka quajtur të turpshëm veprimin e Ramës.

“Turp për kryeministrin Edi Rama, i cili me qëllim i injoroi pyetjen e gazetarëve nga Kosova. Federata Evropiane e Gazetarëve dënon këtë skandaloze”, ka shkruar ai.

Takimi në Tiranë – motivon Kurtin ta proklamoj sërish reciprociretin

Ndriçimin e kamerave në Tiranë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shfrytëzuar edhe për ta proklamuar sërish idenë e vënies së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se po bëhen përgatitjet për këtë proces.

“I kam shkruar letër të gjitha qeverive të BE-së dhe jo vetëm, ku kam renditur shkeljet që po i bën Serbia. Po pres përgjigjet e tyre dhe reciprociteti do të vendoset pasi nuk ka ndryshe. Mirëpo, me ministren Rozeta Hajdari dhe me doganat tona po përgatitemi që ta zbatojmë atë, sepse asnjë qeveri nuk ka zbatuar reciprocitetin. Ne kur ta zbatojmë reciprocitetin nuk guxojmë të dështojmë”, ka thënë Kurti. Por cështjen e reciprocitetit Kurti sipas analistit Rasim Alija po e shfrytëzon vetëm për cështje të fushatës, para zgjedhjeve lokale.

“Çështja e reciprocitetit do vazhdojë të përdoret nga qeveria e kryeministri, sa herë që edhe qeveria e edhe kryeministri do kenë nevojë të krijojnë një perceptim të favorshëm të opinionit publik. Jemi në prag të zgjedhjeve lokale, dhe rikthimi i çështjes së reciprocitetit mund të jetë zgjedhur qëllimshëm, për të ushqyer opinionin publik”, deklaroi ai./Gazeta Enigma.



Related Articles