Blerim Vela, shefi i stafit në Kabinetin e presidentes Vjosa Osmani, ia ka numëruar kryenegociatorit serb Petar Petkoviq shkeljet që Serbia ua ka bërë ndër vite marrëveshjeve të Brukselit.
Të hënën, presidentja Osmani në Twitter shkroi se për 24 orë Serbia i ka bërë dy shkelje të marrëveshjeve të fundit, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe duke lobuar e votuar kundër pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës. Petkoviqi reagoi duke thënë se “kur Osmani përmend shkeljet e Marrëveshjes së Brukselit, me gjasë i referohet Asociacionit të komunave serbe”. “Obligimet e Prishtinës në këtë aspekt përshkruhen në 6 paragrafët e parë të marrëveshjes dhe deri sot, 10 vjet më pas, rezultati është zero. Guximi i Osmanit që të predikojë për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit është absurd, por absurditeti është fjala më e mirë për ta përshkruar filozofinë politike në Prishtinë. Zgjedhjet e djeshme e konfirmuan këtë”, ka shkruar më tej Petkoviq në mbrëmjen e së hënës.
E në përgjigjen e tij, Vela i ka thënë Petkoviqit se me votën kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia ka shkelur nenin 4 të Marrëveshjes së Brukselit dhe se duhet të ndëshkohet.
“Petre, mos leh! Dje Serbia shkeli nenin 4 të Marrëveshjes së Brukselit që përcakton qartë: ‘Serbia s’do ta kundërshtojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare’. Vota juaj kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës duhet të penalizohet. Kur bëhet fjalë për marrëveshjet e mëhershme, lista e shkeljeve të Serbisë është shumë e gjatë: vula doganore, diplomat universitare, IBM dhe lëvizja e lirë, letërnjoftimet dhe targat e veturave, dokumentet e kadastrit, energjia, zgjerimi i zyrave ndërlidhëse me staf shtesë”, ka shkruar Vela në Twitter në përgjigje.
Një ditë më parë, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u pranuaa në Komitetin e Këshillit të ministrave të këtij trupi dhe i është bartur Asamblesë Parlamentare për përgatitjen e opinionit dhe rekomandimit. Në fazën e parë drejt pranimit të aplikimit të Kosovës pro kanë votuar 33 shtete të Këshillit të Evropës, ndërsa Serbia u është bashkuar Azerbajxhanit, Qipros, Gjeorgjisë, Hungarisë, Rumanisë e Spanjës në votën kundër. E në procesin e votimit abstenuan Sllovakia, Greqia, Bosnjë-Hercegovina, Armenia dhe Ukraina.