Njohësit e sistemit të drejtësisë, thonë se në gjykatat e Kosovës ‘po luhet’ ‘ping-pong’ me rastet e vrasjeve mizore të grave. Së fundmi Gjykata e Apelit, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj ndaj Naser Pajazitaj, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kushërirës së tij, Donjëtës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se rikthimi në rigjykim i lëndëve që lidhen me krime penale është bërë praktikë e gjykatave të Kosovës.
“Praktika e ping-pongut ose kthimit disa herë të lëndëve të njëjta në rigjykim ose ri vendosje nga gjykata e Apelit në gjykatat themelore është një praktikë e cila po ndikon në tej zgjatjen e procedurave penale, civile apo administrative. Kur kjo praktikë po përsëritet edhe në çështje penale të vrasjeve përveç që po ndikon ne tej zgjatjen e procedurave gjyqësore, të njëjtat kanë ndikim negativ edhe tek familjarët e viktimave të këtyre veprave penale”, ka theksuar ai.
Sipas tij, kjo situatë është e rëndë veçanërisht për familjarët e viktimave.
“Është përvojë e rëndë dhe e dhimbshme për familjarët e viktimave të kalojnë dy, tre ose katër herë përmes të njëjtave përjetime në këto procese gjyqësore duke ua cenuar dinjitetin por edhe duke ua shtuar dhimbjen. Mund të arsyetohet që Gjykata e Apelit të kthej lëndën një herë në ri rigjykim kur gjen se ka pasur shkelje ligjore ose procedurale, por assesi që kjo të përsëritet disa herë, kur ligji ia mundëson gjykatës së Apelit të hyj në shqyrtim gjyqësor dhe të vendos vetë në bazë të meritës”, ka potencuar ai.
“Gjykatësit në gjykatën e Apelit duhet të dëshmojnë integritet, guxim dhe të vendosin në këto raste sipas meritës dhe të ndalin praktikën kur lëndojnë ndjenjat dhe dinjitetin e familjarëve të viktimave të krimit”, ka thënë tutje Miftaraj.
Rikthimi në rigjykim i rasteve të vrasjeve të grave, motivojnë vrasësit e tjerë
Rrejti i Grave të Kosovës (RrGK) vlerësojnë se rikthimi në gjykim, pas dënimit me burg të përjetshë, siç ndodhi në rastin e Donjeta Pajazitaj, motivojnë dhunuesit e vrasësit e grave, kurse demotivojnë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë për t’i raportuar krimet e për të kërkuar drejtësi për to.
“RrGK rikujton se përveç Kodit Penal të Kosovës, edhe Konventa e Stambollit, e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kërkon nga institucionet e drejtësisë që të mbrojnë viktimat e dhunës gjinore dhe të dënojnë pa kompromis dhunuesit e vrasësit e grave”, thuhet në përgjigjen e tyre.
RrGK kërkon që të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese në rastin e Naser Pajazitajt dhe të kthehet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm për të. Po ashtu, procesi nuk duhet të lë hapësirë për rigjykim.
Ndërkohë ditë më parë, Gjykata e Apelit ka vendosur që të anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj ndaj Naser Pajazitit, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitit.
“Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të akuzuarit N.P. dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, duhet të anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, PKR. nr. 9/20 i datës 7 korrik 2021, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Ferizaj, i akuzuari Naser Pajaziti është shpallur fajtor për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa për shkak të këtyre veprave penale ndaj të akuzuarit në fjalë është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm.
Si u vra Donjeta Pajazitaj?
Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.
Pasi që në rastin e parë, i akuzuari Pajazitaj ishte liruar nga akuza, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, ku pas këtij procesi, Themelorja në Pejë, atë e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.
E aktgjykimin e Themelores, më pas e kishte vërtetuar edhe shkalla e dytë, përkatësisht Gjykata e Apelit.
Por, Gjykata Supreme e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar dy aktgjykimet paraprake.
Supremja ka konstatuar se të dy aktgjykimet kanë qenë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të mos arsyetimit të refuzimit të propozimeve të bëra nga mbrojtësi i të pandehurit.
Ndërkaq, Gjykata Themelore e Ferizajt e shpallur fajtor dhe e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt/ Gazeta Enigma./