“Po i mashtroni qytetarët, qysh s’po ju vjen marre?” – PSD shkon në ZRRE

“Po i mashtroni qytetarët, qysh s’po ju vjen marre?” – PSD shkon në ZRRE

Të hënën, për të kërkuar sqarime lidhur me vendimin për shtrenjtimin e rrymës, Aktivistë të PSD-së, bashkë me kryetarin e këtij subjekti politiki kanë shkuar në Zyrat e Rregullatorit për Energji, raporton Gazeta “Enigma”.

Pas kërkesës së PSD-së, atyre iu është adresuar kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Nol Nushi nga PSD kërkoi që ZRRE-ja ta publikojë vendimin, ndërsa Dardan Molliqaj pyeti se sa është subvencionimi nga Qeveria për konsumin deri në 800 kWh rrymë. Molliqaj tha se s’do të largohen nga aty dhe se do ta pengojnë ZRRE-në, pasi siç tha, po bën punë të keqe.

Ndërkohë Molliqaj e ka quajtur ‘mashtrues’ e ‘gënjeshtar’ Fejzullahun.



Nushi: Ku është vendimi?

Fejzullahu: Tash publikohet

Molliqaj: Sa është subvencionimi i Qeverisë deri në 800 kWh?

Fejzullahu Do ta bëjmë publik vendimin.

Molliqaj: Ti nëpër emisione po merr pjesë.

Kryetari i PSD-së e akuzoi kryesuesin e bordit të ZRRE-së se po manipulon në llogari të KEDS-it.

“Fakti që s’ke përgjigje, je tu i shërby KEDS-it”, tha ai. “Është marre”, shtoi Molliqaj.

Fejzullahu kërkoi që ata ta lirojnë hapësirën.

“Nëse kenii mundësi me na e liru hapësirën”, tha ai.

“Jo s’ka mundësi”, iu përgjigj Molliqaj. “Pse po del në emisione, a po del me e mbrojtë vendimin? Pse s’po jep informatë? Sa është subvencionimi?”, tha kryetari i PSD-së.

Ai i kërkoi Fejzullahut që të japë dorëheqje.

“Marre duhet me të ardhë. Jep dorëheqje dhe në rregull jemi. Je në siklet. Po të vjen marre”, tha Molliqaj.

“Në siklet? Asnjë fije. Prej teje a?”, iu përgjigj Fejzullahu, duke i thënë se mund ta apelojë vendimin.

“Na paguajmë pa e ditë sa na jep shteti dhe sa paguajmë ne. Po e presim vendimin”, tha Molliqaj.

Edhe kërkesa e Fejzullahut që përfaqësuesit e PSD-së të mos pengojnë, nuk gjeti mirëkuptim.

“Nëse bën mos me na pengu”, tha Fejzullahu.

“Ju jeni duke bë punë të keqe dhe ne duhet me ju pengu”, i tha Molliqaj atij,

Kryetari i PSD-së tha se nuk do ta lënë ZRRE-në të punojë pa e publikuar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Related Articles