Presidentja tha se BE po e trajton njëanshëm dialogun – A duhet që ShBA-ja ta marr primatin?

Presidentja tha se BE po e trajton njëanshëm dialogun – A duhet që ShBA-ja ta marr primatin?

Në adresimin vjetor në Kuvend, Presidentja Osmani tha se dialogu Kosovë – Serbi , i udhëhequr nga BE-ja, ka qenë i pa balancuar, duke i dhënë një trajtim të padrejtë Kosovës, dhe një akomodim të vazhdueshëm Serbisë. Ajo përmendi faktin se Kosova gjendet nën masa, kurse Serbia agresore jo, si një dëshmi e qartë e një trajtimi të pabarabartë, shkruan Gazeta Enigma.

E para e vendit tha se Asociacioni duhet diskutuar me ShBA-të, e të mos i lihet në dorë Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës. Me këtë fjalim, ajo hapi mundësinë që ShBA të ndërmjetësoj dhe udhëheq dialogun me Serbinë.

SHBA-ja mund të sjell marrëveshjen finale mes dy vendeve

Analisti i politikës së jashtme, Amir Shabani, tha se ideja që ShBA-të të udhëheqin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është qëndrim i duhur, pasi që ndër vite diplomacia amerikane ka bërë shumë për Kosovën.

“Udhëheqja e dialogut Kosovë-Serbi nga ana e SHBA-së konsiderohet vendim apo qëndrim i duhur për faktin se dihet ndër vite se diplomacia amerikane ka derdhur angazhim të gjatë në ruajtjen e rendin, paqes dhe stabilitetit të Kosovës. Kështu që, edhepse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga koha e luftës, Prishtina dhe Beogradi zyrtar kanë ngecje në marrëveshjet e tyre për normalizim dhe fqinjësi të mirë, ndonëse Kosova po punon drejt asaj të jetë një shtet që funksionon demokracia, ligji dhe shteti i së drejtës, Serbia nuk i shkëput aleancat me Rusinë dhe Kinën të cilat lidershipe konsiderohen komuniste dhe uzurpuese”, tha ai për Gazetën Enigma.

Shabani u shpreh optimist se Qeveria amerikane në krye me Donald Trump, do të bënte një marrëveshje konkrete në dialogun me Serbinë.

“Sa i përket administratës së re të Shtëpisë së Bardhë në krye me Donald Trump rreth Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe çështjes së dialogut Kosovë-Serbi në veçanti, mund të arrihet një marrëveshje konkrete duke u bazuar në metodologjitë e kaluara të politikave të Trumpit rreth konflikteve fqinjësore mes shteteve”, tha ai.

Por me këtë nuk pajtohet deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, i cili ka thënë se ardhja e ShBA-ve si udhëheqës i dialogut është e pamundur, pasi rezoluta e Kombeve të Bashkuara e ka autorizuar BE-në si ndërmjetësuese në dialogun Prishtinë – Beograd.

“Rezoluta e Kombeve të Bashkuara e ka autorizu Bashkimin Evropian me mirëmbajtë dialogun Kosovë – Serbi, nuk mundet me ndodhë me u kthy dialogu te Amerika sepse rezoluta e obligon BE-në me mirëmbajtë dialogun”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, e komentoi fjalimin e presidentes Osmani ku tha: “Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”.

Ajo tha se LDK e ka përsëritur këtë vazhdimisht, duke pohuar se marrëdhëniet me ShBA-të dhe roli i tyre në garancinë e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, është prioriteti i tyre.

“Pjesë e një realiteti të PAKONTESTUESHËM që LDK e ka thënë vazhdimisht. Ata që duan ta shohin situatën racionalisht, e shohin, herët a vonë!”, ka thënë ajo.

Qe sa kohë dialogu mes dy vendeve është në një “status-quo” dhe nuk ka pasur lëvizje konkrete nga asnjëra palë. Të dyja shtetet, si Kosova ashtu edhe Serbia marrëveshjen finale mes dy vendeve e shohin në dy rrafshe diametralisht të kundërta. / Gazeta Enigma/

Related Articles