Në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, të mërkurën, pas dy tentativave u arrit që të zgjidhet kryesuesi komunal. Fehmi Kupina nga LDK-ja, e mori këtë post, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ndërkohë në Komunën e Gjilanit, ku në të njëjtën ditë ishte planifikuar mbajtja e seancës konstituive, një gjë e tillë s’ndodhi. Në mungesë të numrave, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni vendosi të shtyjë seancën.
Ndonëse Hyseni ka paralajmëruar se është në bisedime me gjitha partitë politike, duket se ende s’ka një marrëveshje bashkëpunimi me asnjërën prej tyre.
Kuvendi Komunal i Gjilanit do të mbajë mbledhjen më 7 janar.
Sipas njoftimit zyrtar të komunës së Gjilanit, mbledhja shtyhet për 7 janar 2022, ditë e premte.
Komuna e Gjilanit mund të shkojë në zgjedhje për asamble komunale në rast se dështon zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit.
Sipas Ligjit për Qeverisje Lokale, kryesuesi duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve pas betimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal.
Nëse zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal dështon, atëherë në kryeqytet do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme për Asamblenë Komunale.
LVV dhe PDK drejt koalicionit?
Mediat kishin raportuar se një marrëveshje midis LVV-së dhe PDK-së në Gjilan është në prag të arritjes, por një gjë e tillë u mohua nga kryesuesja e PDK-së, Leonora Morina – Bunjaku.
“Pikërisht te drejtoritë kanë qenë dallimet. Ne madje kemi lëshuar pe, pasi fillimisht kemi kërkuar pesë drejtori, dhe aktualisht jemi dakordu me katër. Por nuk kemi pas gatishmërinë e palës tjetër, Lëvizjes vetëvendosje”, i ka thënë ajo për Gazetën “Enigma”.
Kupina në krye të Kuvendit Komunal të Prishtinës
Pas dy tentativave, të mërkurën, Fehmi Kupina i Lidhjes Demokratike të Kosovës është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Për të votuan 25 asamblistë, nga 42 sa ishin prezent në sallë.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, mori pjesë në votim. Ajo e mundësoi zgjedhjen e Fehmi Kupinës të LDK-së për kryesues të Prishtinës.
Përafrim qëndrimesh midis LDK-së e PDK-së në Prishtinë
Burime të Gazetës “Enigma”, brenda subjektit të LDK-së dhe PDK-së, kanë konfirmuar se të mekurën është arritur një pajtim midis dy partive, ndonëse ende kanë mbetur tema për tu definuar.
Burimet thonë se ky koalicion është arritur por kanë mbetur edhe disa çështje për t’u definuar.
Se ka përafrime midis partive, e konfirmoi indirekt edhe kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama.
I pyetur për koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, Rama ka deklaruar se është në proces.
“Nuk ka numër të drejtorive, ka njerëz profesional që do të na bashkëngjiten edhe do t’i shtyjmë proceset përpara”, tha ai.
Rama shtoi se ka energji pozitive për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
“Kemi pasur biseda. Unë i kamë bërë ftesë të gjithëve, i kam bë ftesë të gjitha partive, i kam bë ftesë qytetarëve që të na bashkohen, pra ‘Prishtina për të gjithë’ është motoja me të cilën unë kam garuar”.
“Kemi një energji pozitive, një energji të përbashkët. Sot mendoj se seanca do të jetë e suksesshme do ta zgjedhim kryesuesin dhe në ditë në vazhdim do t’i paraqesim partnerët tanë për ndarje të përgjegjësive për të mirën e qytetarëve të Prishtinës”. /Gazeta Enigma.