Pritjet e gjata të qytetarëve për t’u pajisur me leternjoftim, MPB-ja hesht

Pritjet e gjata të qytetarëve për t’u pajisur me leternjoftim, MPB-ja hesht

Pritjet e gjata për tu pajisur me leternjoftime, po u shkakton telashe qytetarëve të Kosovës, derisa kjo pritje po ndodhë për shkak të mungesës së materialit për prodhimin e leternjoftimeve, shkruan Gazeta Enigma.

Por, pavarësisht kësaj qytetarët vazhdojnë të kenë ankesa për kohën e gjatë që duhet të presin.

Qytetari nga Gjilani, Elbasan Rexhepi, ka thënë për Gazetën “Enigma” se javën e kaluar ka aplikuar për tu pajisur me letërnjoftim pasi i kishte skaduar afati, derisa ka theksuar se arsyetimi për pritjet e gjata ka qenë i njejtë ashtu si për çdo qytetarë tjetër.

Rexhepi ka thënë se është e pakuptimtë një pritje e tillë, ku sipas tij dihet rëndësia e këtij dokumenti.

“Pa të nuk mund as ta kalojmë kufirin, e askush nuk jep përgjegjësi për këtë”, ka thënë ai.

Ndërsa, edhe Yllka Ramadani, qytetare nga komuna e Gjilanit ka thënë për Gazetën “Enigma” se ky problem është tash e disa muaj.

Ramadani ka theksuar se para disa muajve ka aplikuar për leternjoftim, por është pajisur pas katër muajve pritje.

“Nuk është e drejtë kjo pritje e gjatë. Unë kam aplikuar dhe arsyetimi se duhet të pres gjatë ishte mungesa e materialit. Unë personalisht nuk e kisha, por e mendoj për disa qytetarë sidomos për mërgimtarët kjo u shkakton telashe të mëdha sepse u duhet për udhëtim”, ka thënë Ramadani.

Ndërsa, si shkak i mungesës së materialit, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të gjithë shtetasve të Kosovës, pavarësisht afatit të skadimit të letërnjoftimit, dokumenti identifikues t’iu konsiderohet i vlefshëm edhe për gjashtë muaj.

Derisa, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marr vendim për identifikim të votuesve letërnjoftimet e Kosovës të cilave u ka skaduar afati, kjo për shkak të pritjeve të gjata.

Ndryshe, lidhur me këtë çështje, Gazeta “Enigma” ka tentuar të marrë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme, por që nuk janë përgjigjur.

Related Articles