Protesta e zhurmë nga vendet e rajonit për masat e reja të Kosovës, ekzekutivi kosovar paralajmëron rishikim të masave

Protesta e zhurmë nga vendet e rajonit për masat e reja të Kosovës, ekzekutivi kosovar paralajmëron rishikim të masave


Të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për të mos i lejuar të hyjnë në Kosovë personat që nuk janë të vaksinuar me dozën përforcuese apo të tretë, janë shprehur përfaqësuesit e vendeve të rajonit, shkruan Gazeta “Enigma”.


Vendimi i Qeverisë e Republikës së Kosovës për masat kundër COVID-19, i cili ka hyrë në fuqi me 22 janar, përfshirë masat e reja mbi hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës, kërkon që personat që hyjnë në Kosovë e kanë të domosdoshme ta kenë certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza, atë me dy (2) doza bashkë me testin RT-PCR negativ.

Por një gjë e tillë ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të vendeve të rajonit, përfshirë këtu edhe ata të Luginës.

Për këtë është ‘ankuar’ edhe Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka kërkuar nga qeveria kosovare që t’i rishqyrtoj masat e vëna.

Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani

“Duke qenë se një pjesë jo e pakët e qytetarëve nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre”, ka thënë Sinani.

Pas kritikave, ekzekutivi sqaron vendimin dhe thotë se do i rishikoj masat

Ministria e Shëndetësisë nuk i është përgjigjur interesimit të Gazetës, nëse do të adresohen kritikat nga përfaqësuesit e vendeve të rajonit, lidhur me obligimin e qytetarëve të këtyre vendeve që të kenë dozën e tretë të vaksinës.

Ndërkohë, të hënën nga ky institucion, përmes një postimi në rrjete sociale, janë arsyetuar se të gjitha masat e ndërmarra kanë qenë rezultat i analizës së rregullt të situatës epidemiologjike në vend, konsultimeve me profesionistët shëndetësor dhe Komisionin këshill-dhënës lidhur me COVID-19, të cilat janë trajtuar në Komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me COVID-19, ku përfaqësohen institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Vendimi nuk kërkon domosdoshmerisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, rregull që është praktikuar edhe nga shtete të tjera”.

LEXO EDHE: Kritikat ndaj masave të reja antiCOVID, MSH-ja del me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët


Tutje, nga MSH-ja është thënë se shtetasit e Republikës së Kosovës mund të hyjnë në vend duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojën e prezantimit të testit negativ RT PCR, dhe po ashtu edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Maqedonia e veriut kërkon rishqyrtim të këtij vendim

Në mesin e kritikave që i janë adresuar Kosovës për masat e reja, ishte edhe ai i Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, i cili në një bisedë telefonike me ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifin, theksoi vështirësitë që i kanë shkaktuar këto masa qytetarëve maqedonas.

“Po ashtu, ministri Bekim Sali ia përcolli kolegut të tij kosovar edhe brengën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, që kanë lidhje familjare, biznesore e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën, e të cilët kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Tutje, bëhet e ditur se duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë, Sali i kërkoi Latifit, që të rishqyrtohet ky vendim.

I pari i shëndetësisë në Maqedoni të Veriut propozoi gjithashtu të kërkohet një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë

Bujanoci shpreson se vendimi për dozën e tretë do të ndryshoj

Vendimi i Qeverisë së Kosovës sa i përket hyrjes së qytetarëve nga vendet e rajonit, nuk është përkrahur as nga Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Madje ai i ka shkruar kryeministrit Kurti, duke theksuar se obligimi për vaksinë me dozën e tretë, apo edhe ata që janë vaksinuar me dozën e dytë dhe testi PCR po e pamundëson lëvizjen e qytetarëve.

Ai ka shkruar se i shtyrë nga kërkesat e shumta të qytetarëve, kërkon të rishikohet vendimi për hyrje daljet në territorin e Kosovës.

“Mbesim me shpresë se vendimi do të rishikohet, gjithnjë duke gjetur një zgjidhje që nuk rrezikon shëndetin e qytetarëve”, ka thënë Arifi.

Qytetarët e Kukësit në protesta, kundër vendimit të Kosovës
Të hënën, qytetarët e Kukësit kanë protestuar në pikën kufitare në Morinë, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës.

“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinit. Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste Rakip Matmuja.

Pamje nga protestat në Kukës


Ndërkohë në protestën të cilën morën pjesë dhjetëra qytetarë, një nga protestuesit teksa shprehte revoltën rreth masave të reja, tha se nuk është hera e parë që Kosova ka marrë masa të tilla.

“Është hera e tretë që kosovarët po na bëjnë këtë gjë. Herën e parë më një vaksinë, herën e dytë me dy vaksina edhe tash me dozën e tretë të vaksinës. Ndërkohë që vaksina e tretë bëhet në momentin që ti i bën gjashtë muaj. Ne, gjithë populli i Kukësit hajmë bukë në Kosovë. Një zgjidhje duhet ta gjejmë ne, ose ta bllokojmë rrugën ose të hiqet kjo masë. Si Albini si Edi Rama njësoj janë”, është shprehur qytetari.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten, 21 janar, masa të reja për luftim të pandemisë së koronavirusit, pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit në këtë shtet.

Në vendim është thënë se situata epidemiologjike është e qetë, mirëpo rreziku mbetet pasi varianti Omicron është dominues./ Gazeta Enigma.

Related Articles