Pulmologu Bacaj: Edhe një valë e re e COVID-19 mund ta godasë Kosovën

Pulmologu Bacaj: Edhe një valë e re e COVID-19 mund ta godasë Kosovën

Në Kosovë ditëve të fundit ka pasur numër të vogël me raste pozitive nga COVID-19, gjë e cila ka ndikuar edhe në rënien e interesimit për vaksinim kundër këtij virusi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë është shqetësues fakti se në raportin e katër prillit janë administruar vetëm 13 doza të kësaj vaksine.

Pulmologu, Skënder Bacaj, në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e përhapjes së një vale të re të COVID-19 në Kosovë.

“Praktikisht pandemia është në përfundim e sipër si nga aspekti 1.- klinik: rastet e lehta pa nevojë për O2 terapi dhe pa nevojë të madhe për hospitalizime, por edhe në aspektin 2.- epidemiologjik rastet pozitive janë gjithnjë në rënie si dhe vdekshmëria prej ditës në ditë është e barabart me zero”,ka deklaruar Bacaj.

Pulmologu, Skënder Bacaj

Bacaj ka shpjeguar arsyet e rënies së infektimeve me COVID-19.

“Arsyeja kryesore e rënies është 1.- cikli biologjik (natyra e çdo pandemie) i sëmundjes dhe 2.- vaksinimi (suksesi i vaksinimit në Kosovë deri më tani ka qenë i shkëlqyeshëm, falë angazhimit të strukturave kompetente kosovare dhe ndihmës ndërkombëtare që me të vërtet duhet falënderuar posaçërisht dhe përjetësisht)”, ka thënë ai për Enigmën.

Përveç ndihmës ndërkombëtare në parandalimin e këtij virusi, Bucaj ka theksuar se edhe Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK kanë dhënë maksimumin në këtë drejtim.

“Absolutisht edhe ne Klinicistët dhe Epidemiologët (IKSHPK), ministria dhe OBSH insistojnë në vazhdimin e vaksinimit si dhe në aspektin e kampanjës ( gjithpërfshirja e popullatës) ashtu edhe në aspektin e mbrojtjes së komuniteteve të caktuara si: Të sëmurët kronik, pjesëtarët e konvikteve, Policisë, FSK-së dhe të moshuarve ( personat mbi 60 vjeç), ka theksuar Bacaj.

Marrja e aspirinës për personat mbi 40 vjeç sipas Bucaj ndihmon për çdo të prekur nga COVID-19, që ta përballoj në mënyrë sa më të lehtë.

“Rekomandohet nga ana e klinicistëve marrja e aspirinës për të moshuarit mbi 40 vjeç, sepse çdo prekje nga COVID-19 në të ardhmen do të përballohet më lehtë”, ka thënë ai.

Tutje Bacaja ka shtuar se “rekomandimet tjera janë : stili i jetës i shëndetshëm me ushqime bio, lëngje qajëra, ujë sa më shumë gjatë çdo dite, marrja e suplementëve për rritje të imunitetit (terapia imunostimulatore e licencuar dhe aprovuar edhe nga OBSH-ja) : preparate të zinkut dhe magnezit, vitaminë D, vitaminë C, marrja e proteinave në sasi optimale”.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani

Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me Kryetarin e Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, i cili ka theksuar se në ditë në vazhdim mund të ketë rritje të rasteve pozitive me COVID-19.

“Mundet të ketë edhe një mori infeksionesh me përmasa të vogla, ose të moderuar edhe në vendin tonë si në shumë vende të botës, si SHBA, Britani e Madhe, Francë, Itali e shumë vende të tjera”, ka deklaruar Ramdani.

Tutje ai ka shtuar se “Varianti i ri Omicron BA.2 është shumë infektues dhe afër 30 % më shumë se Omicron deri tani, andaj dhe rritja infektive është e mundur që të jetë në javët në vijim, kujtoj që edhe dr Fauci e ka paraqitur këtë mundësi të rritjes së rasteve me COVID-19 she me variantin Omicron BA.2”.

Mënyra më e mirë e mbrojtjes nga COVID-19, sipas infektologut Ramamdani është imunizimi me vaksinën kundër këtij virusi.

“Pra duhet të vazhdohet me vaksinimin antiCOVID sa më shumë dhe në përqindje sa më të larta dhe padyshim edhe me masa të tjera antipandemike siç kanë qenë deri më tani”, ka përfunduar Ramadani.

Njëzet raste pozitive me COVID-19 janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë këtë të martë. 

Rastet pozitive kanë dalë nga kryerja e 949 mostrave të dyshimta për Sars CoV-2.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Ndërsa në 24 orët e fundit janë dhënë 214 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Ndërkohë, sipas njoftimit të MSH-së, në 24 orët e fundit janë shëruar 27 qytetarë për të çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 223.917./Gazeta Enigma/

Related Articles