Punimet për rregullimin e shtratit të lumit në Gjilan kanë nisur që para një viti, në kuadër të një kontrate trevjeçare, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ky projekt i rëndësishëm për infrastrukturën dhe mjedisin e qytetit po ngre dyshime serioze, pasi Shefi i grupit të këshilltarëve komunal nga Partia Demokratike e Kosovës, Bujar Nevzadi, ka thënë për “Gazetën Enigma” se “punimet në këtë projekt po kryhen pa leje të rregullt ndërtimi”.
“Sa i përket projektit te objekti i FSK-së në rrugën e Malishevës dhe Pogragjës ky projekt pikë së pari nuk është në planin rregullues prandaj edhe nuk mundi të marr leje, pra ky projekt nuk ka leje, Komuna është duke punuar pa leje nga Drejtoria e Urbanizmit”, deklaroi Nevzadi për “Enigmën”.
E për këtë prentendim të Nevzadit, “Gazeta Enigma” ka kërkuar sqarime edhe në Komunën e Gjilanit.
Drejtori për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ali Arifi, për “Enigmën”, konfirmoi se punimet po kryhen pa leje të veçantë.
“Jo nuk kanë aplikuar për leje, sepse është pak e koklavitur puna me planet rregulluese, nuk janë të finalizuara, nuk janë të harmonizuara planet në atë pjesë pasi një pjesë atje është dashtë me marr prej FSK-së, një shpronësim që është bërë edhe është zgjeruar rruga, nuk janë kanë të definuara tani s’kemi mundur me lëshuar leje, s’kanë bërë kërkesë hiq në fakt”, tha Arifi.
Rregullimi i shtratit të lumit në Gjilan, një projekt që rëndon jetën e banorëve?
Përveç mungesës së dokumentacionit të rregullt, ky projekt ka shkaktuar edhe vështirësi për shumë banorë të fshatrave përreth. Ata detyrohen të përshkojnë çdo ditë 3-4 kilometra më shumë për shkak të pengesave të krijuara nga punimet, duke e bërë situatën edhe më të rënduar për ta.
“Ky projekt është i kot, kryetari e ka nisur këtë projekt vetëm sa mu arsyetua para qytetarëve se është duke bërë diçka, por në fakt ky nuk është duke bërë diçka dhe kjo ka ndikuar shumë tek qytetarët e Fshatit Malishevë, Capar, Bukovik, Uglarë e Pogragjë të cilët çdo ditë udhëtojnë dhe duhet t’i bëjnë edhe 3-4 kilometra shtesë, plus që jonë larg dhe rruga nuk është në rregull edhe kjo tash vetëm sa i ka pengu dhe nuk është duke bërë asgjë”, deklaroi Nevzadi i PDK-së.
Tutje ai ka shtuar se “në këtë projekt është paraparë që në atë pjesë të jenë edhe dy gypa fi 800, këta nuk i kanë futur këta gypa”.
Ndërsa Arifi ka deklaruare se rregullimi i shtratit të lumit ka një kontratë tri vjeçare.
“Ka më shumë se një vit që kanë filluar punimet por shpresojmë që kryhet më herët, por pak ka pasur vonesa edhe për shkak që s’ka pasur mjet”, tha ai.
“Në bazë të ritmit të punime shpresojmë që ky projekt do ë kryhet para afatit që është paraparë”, tha Arifi, tutje ai ka theksuar se edhe punimet kanë ndikuar në bllokimin e një pjese të kësaj rruge “ne kemi bërë rrugë alternative dhe nuk i kemi lënë pa zgjidhje qytetarët”.
“Komuna në kaos, si brenda ashtu edhe jashtë!”
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe Shpresa Kurteshin, këshilltare në Kuvendin Komunal dhe anëtare e kryesisë në LDK, e cila ka deklaruar se papërgjegjësia ka përfshirë çdo cep të ekzekutivit.
“Gjithçka që ndodh është për shkak të mosplainifikimit të mirë dhe neglizhencës që janë duke treguar institucionet komunale në këtë drejtim. Papërgjegjësia ka përfshirë çdo cep të ekzekutivit! Komuna në kaos, si brenda ashtu edhe jashtë!”, tha ajo për “Enigmën”.
Kujtojmë se ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, para dy jave ka zhvilluar një vizitë në Komunën e Gjilanit ku ka treguar për punën që po bëhet për pastrimin e shtretërve të lumenjve.
“Projektet për pastrimin e shtretërve të lumenjve vazhdojnë. Bashkë me kryetarin e komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, vizituam lumenjtë në Gjilan, ku aktualisht po realizohet projekti për pastrimin dhe ndreqjen e shtratit të lumit”, tha ai.
“Ky është vetëm një nga shumë projektet aktive për pastrimin e lumenjve. Angazhimi për të luftuar kundër mbetjeve do të vazhdojë çdo ditë”, deklaroi ministri Aliu. /Gazeta Enigma/