Putini kërcënon Perëndimin me hakmarrje: Në çdo zonë ku e shohim të nevojshme

Putini kërcënon Perëndimin me hakmarrje: Në çdo zonë ku e shohim të nevojshme

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar Perëndimin për masa hakmarrëse pas sekuestrimit të disa anijeve tregtare të lidhura me Rusinë, duke i cilësuar këto veprime si “pirateri” dhe “grabitje”.

Gjatë një vizite në një anije luftarake ruse që po merrte pjesë në një stërvitje detare në Oqeanin Paqësor, Putin deklaroi se ndalimi i anijeve ruse përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare detare.

“ Kjo nuk është asgjë tjetër veçse pirateri dhe grabitje. Nëse kjo ndodh, ne do të detyrohemi të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Putin.

Ai theksoi se një reagim i mundshëm rus nuk do të kufizohej domosdoshmërisht në zonat ku janë sekuestruar anijet.

“Ne mund të përgjigjemi në çdo zonë ku e shohim të nevojshme dhe të përshtatshme”, tha presidenti rus, duke përmendur edhe Oqeanin Paqësor.

Ndërkohë, komandanti i Flotës së Paqësorit, admirali Viktor Liina, i ka raportuar Putinit se marina ruse është e gatshme të nisë inspektimet e anijeve tregtare që, sipas tij, u shërbejnë “kombeve jomiqësore”.

Rusia dyshohet se përdor një flotë prej qindra anijesh për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare të vendosura pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Në kuadër të masave kundër kësaj flote, Franca dhe Britania e Madhe kanë ndaluar cisterna që dyshohet se janë pjesë e “flotës nën hije” ruse, e cila transporton naftë në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj qindra anijeve të kësaj flote, ndërsa Rusia së fundmi ka nisur të dislokojë anije luftarake për të shoqëruar anijet e saj tregtare.

Related Articles