Qëndrimet për “Ballkanin e Hapur”, Rama: Kemi qasje ndryshe, por kjo nuk na pengon

Qëndrimet për “Ballkanin e Hapur”, Rama: Kemi qasje ndryshe, por kjo nuk na pengon

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur lidhur me qëndrimin për “Ballkanin e Hapur” dhe raportit mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama në konferencë për media ka thënë se qëndrimi i tij dhe i Shqipërisë për raportin e dy shteteve është i njohur.

“Mendimi i Shqipërisë, i kësaj qeverie lidhur me Kosovën dhe Serbinë nuk është as sekret e as i panjohur. Është i njëjti mendim që e kam shprehur qysh në krye të herës dhe në mes të Beogradit. Nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se për “Ballkanin e Hapur” kanë qëndrime të ndryshme nga Kosova, por shtoi se kjo nuk ndryshon marrëdhëniet ndërshtetërore, teksa bëri një krahasim me shqiponjën me dy koka në flamurin kombëtar.

“Sa i përket Ballkanit të Hapur, kemi dy qasje të ndryshme, por nga ana tjetër duhet të mësohen të gjithë me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat për të bërë së bashku gjërat e duhura në funksion të së ardhmes tonë. Këto opinione të ndryshme në raport me Ballkanin e Hapur nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh”.

“Shqiponja me dy koka rrezikohet që të kapet nga njëra anë apo tjetra pasi kontrollon me sy të dyja anët, asnjë shqetësim për këtë. Është një vlerë e shtuar, në këtë periudhë të historisë sonë që jemi shqiponjë me dy koka, kur të vijë koha që të jemi shqiponja me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë sesa sot që nuk e kemi këtë qëllim”, ka thënë ai.

Ndërsa lidhur me këtë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se mbledhjet ndërqeveritare dëshmojnë se Kosova dhe Shqipëria mund “të diskutojnë, të planifikojnë, të dakordohen edhe pa menduar e pa e përmendur fqinjin verior të Republikës së Kosovës”./Gazeta “Enigma”/

Related Articles