Që nga fillimi i qeverisjes Kurti 2 me Albin Kurtin në krye, ekzekutivi shpesh është kritikuar për mostransparencë, si në qasje në dokumentet zyrtare, mospërgjigje ndaj mediave, mospërgjigje ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe komunikim jo të mjaftueshëm me shoqërinë civile, shkruan Gazeta Enigma.
Njëri nga deputetët që është i pakënaqur me transparencën e Qeverisë, është Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai tha për Gazetën Enigma se Qeveria Kurti do të mbahet mend si Qeveria “më e mbyllur për mediat dhe qytetarët”.
“Në historinë e të gjitha qeverive të pasluftë, qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të mbahet mend si Qeveria më jotransparente, më jopërgjegjëse dhe qeveria më e mbyllur për mediat dhe qytetarët. Kjo është qeveria më e gjata në mandat, e më së paku ballafaqim me media e me gazetarë, sa i përket llogaridhënies dhe përgjegjësisë që e kanë në detyrë”, u shpreh deputeti Tahiri.
Sa i përket transparencës me deputetët, Tahiri tha se “arbitrariteti dhe qasja autoritare” është parë që në fillim.
“Në raport me Kuvendin e Kosovës, arbitrariteti dhe qasja autoritare është pa që në fillim. Fatkeqësisht kjo ka vazhduar dhe vazhdon deri në ditët e sotme, duke e neglizhuar debatin parlamentar, duke neglizhuar edhe pyetjet nga deputetët. Paramendoni, në një demokraci parlamentare, ministrat kanë refuzuar të përgjigjen ndaj pyetjeve parlamentare të deputetëve, që janë një ndër instrumentet kryesore në demokraci që një opozitë e shfrytëzon, e lëre më çështje të tjera”.
“Kjo mungesë e transparencës dhe e llogaridhënies e kësaj qeverie, do të mbetet pikë e zezë për këtë qeveri, por në të njëjtën kohë edhe një mësim i madh për të gjitha qeveritë, sa i përket transparencës dhe llogaridhënies”, deklaroi tutje Tahiri.
Pa transparencë – abuzimet me pushtetin dhe korrupsioni mund të lulëzojnë
Gazeta Enigma kontaktoi edhe me Drejtoreshën e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, e cila shprehu shqetësimin se kjo mungesë e transparencës mund të krijojë një ambient ku “abuzimet me pushtetin dhe korrupsioni mund të lulëzojnë pa u vërejtur dhe pa u ndëshkuar”.
“Kur qytetarët dhe mediat nuk kanë qasje të lirë dhe të plotë në informacionet publike, bëhet më e vështirë për ta që të mbajnë përgjegjës institucionet për veprimet dhe vendimet e tyre. Kjo mungesë e transparencës mund të krijojë një ambient ku abuzimet me pushtetin dhe korrupsioni mund të lulëzojnë pa u vërejtur dhe pa u ndëshkuar”, tha Demolli.
Tutje Demolli tha se Kurti me ministrat e tij në fillim kishin premtuar një “transparencë radikale”, por se kjo nuk po gjen vend në praktikë.
“Përkundrazi, institucionet shpesh radikalisht po mbyllen për gazetarë dhe atyre nuk po iu ofrohen informacionet e kërkuara. Kjo mungesë transparence padyshim se ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe saktësinë e informacionit që arrin te publiku, duke dëmtuar kështu funksionin demokratik të medias”, u shpreh Demolli.
Deputeti i pozitës: Transparenca është në nivelin e duhur
Valon Ramadani, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, i hodhi poshtë këto akuza për mostransparencë, duke thënë se ata që bëjnë këso akuza “duhet të kenë një tregues mbi të cilin mbështeten” dhe “të mos mbesin vetëm fjalë në ajër”.
“Çdokush mund të ketë opinionet dhe mendimet e veta për çështje të ndryshme por që ato të qëndrojnë duhet të jenë të bazuara. Edhe këto akuza nuk është se mund të ndërhyjmë ne që mos t’i bëjnë, madje as nuk do të duhej, por këto duhet të kenë një tregues mbi të cilin mbështeten dhe të mos mbesin vetëm fjalë në ajër”, tha Ramadani për Gazetën Enigma.
“Sa i përket komunikimit dhe transparencës së ekzekutivit ndaj neve si deputetë dhe pyetjeve që kemi ndaj tyre, transparenca është në nivelin e duhur dhe gjithmonë marrim përgjigje për pyetjet që kemi ndaj tyre pa pasur ndonjëherë ndonjë problem”, shtoi deputeti i pozitës. /Gazeta Enigma