Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar që kryeministri Albin Kurti nuk do të marrë pjesë sot në drekën joformale në Tiranë, raporton Gazeta Enigma.
Kryeziu ka bërë të ditur se kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.