Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se pagat në sektorin publik do të rriten në vitin 2025, gjatë një konference për media me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Në fillim të konferencës, Kurti theksoi arritjet e Qeverisë së tij, duke përmendur mbështetje për prodhuesit dhe familjet, që sipas tij, kanë kontribuar në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe krijimin e 75 mijë vendeve të reja të punës, njofton Gazeta Enigma.
Ai njoftoi se ekonomia e Kosovës po rritet me 1 miliard euro çdo vit, duke arritur mbi 10 miliardë euro këtë vit dhe duke pritur që vitin e ardhshëm të arrijë 11 miliardë euro.
“Për vitin 2025, buxheti për shpenzime do të jetë 2.3 miliardë euro. Kjo rritje është arritur pa rritur tatimet për qytetarët; madje, ne kemi ulur disa tatime. Rritjen e të hyrave tatimore e kemi arritur duke luftuar kontrabandën,” shpjegoi Kurti.
Ai po ashtu theksoi se me hyrjen në fuqi të rritjes, buxheti për paga do të shtohet vitin e ardhshëm dhe se çdo rritje duhet të jetë në përputhje me rritjen ekonomike. “Gjatë qeverisjes tonë, kemi treguar se dimë të qeverisim me zotësi,” përfundoi Kryeministri./GazetaEnigma/