Muaji mars i vitit 2026 po mbyllet me një pasiguri të lartë ekonomike në Kosovë. Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka tronditur bursën botërore, duke e çuar çmimin e naftës bruto mbi 80 dollarë për fuçi. Ky “tërmet” global është reflektuar menjëherë në pompat e derivateve në Kosovë, ku çmimi i naftës ka arritur deri në 1.80 euro për litër, shkruan Gazeta “Enigma”.
Rritja e vazhdueshme e çmimit të derivateve në Kosovë ka thelluar presionin mbi qytetarët dhe bizneset, ndërsa institucionet vazhdojnë të përplasen rreth masave që duhet ndërmerren.
Aktualisht, çmimi i naftës në tregun vendor ka arritur deri në 1.79 euro për litër, duke reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, por edhe mungesën e ndërhyrjes direkte nga shteti.
Përkundër rritjes së çmimeve dhe efekteve zinxhirore në ekonomi, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve.
Si pasojë, tashmë është paralajmëruar shtrenjtimi i transportit publik dhe privat, ndërsa bizneset kanë sinjalizuar rritje të mundshme të çmimeve të produkteve bazë.
Opozita kërkon ndërhyrje përmes politikave fiskale
Faktori opozitar ka kërkuar që të bëhen ndëryhrje përmes politikave fiskale për të stabilizuar situatën ekonomike në vend që po e rëndon xhepin e kosovarëve.
Sipas anëtarit të LDK-së, Berat Rukiqi, ulja e TVSH-së nga 18% në 8% dhe përgjysmimi i akcizës do të sillnin një efekt të ndjeshëm.
“Me këto masa, çmimi i naftës do të mund të zbriste nga rreth 1.70 euro në rreth 1.35 euro për litër. Vetëm nga TVSH-ja do të kishte një ulje prej rreth 17 cent, ndërsa nga akciza edhe 17.5 cent shtesë”.
Në total, sipas tij, qytetarët do të kursenin rreth 35 cent për çdo litër karburanti, një lehtësim i drejtpërdrejtë në kohë krize.
Për situatën aktuale në të cilën po kalon Kosova, është deklaruar për edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.
Ai ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për qasje pasive në raport me gjendjen serioze ekonomike.
“Rritja e çmimeve të naftës nuk ka të ndalur, ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon të qëndrojë në rolin e spektatorit. Në një kohë kur qytetarët dhe bizneset po përballen me çmime gjithnjë e më të larta, mungesa e veprimit është e papranueshme”.
Edhe Mustafa rekoamndon që që të largohet akciza për naftë në mënyrë që çmimi të ulet direkt.
“Zgjidhja është e qartë: ulja ose largimi i akcizës në naftë. Sot, nga çdo litër naftë, shteti merr rreth 0.35 euro akcizë, një barrë, që në këto kushte krize nuk duhet të rëndojë mbi qytetarët dhe ekonominë. Heqja apo reduktimi i kësaj takse do të ndikonte menjëherë në uljen e çmimit të naftës dhe do të ndihmonte në frenimin e rritjes së çmimeve në të gjitha produktet bazë. Shumë vende tashmë kanë ndërmarrë hapa të tillë për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë e tyre. Këtë duhet ta bëjë pa vonesë edhe Qeveria e Kosovës”.
Edhe nga AAK kanë reaguar lidhur me rritjen e çmimit të naftës. Zyrtarët e kësaj partie, Besnik Tahiri dhe Albana Bytyçi dorëzuan në MINT një letër ku kërkohen “masa të menjëhershme dhe konkrete”.
“Rritja e çmimit të naftës po ndikon drejtpërdrejt në të gjithë ekonominë, duke rritur kostot e transportit, prodhimit dhe furnizimit, si dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Si pasojë, fuqia blerëse e qytetarëve është në rënie dhe po krijohet një efekt domino që prek bizneset dhe konsumatorët. Mungesa e masave konkrete institucionale në këtë situatë mbetet shqetësuese për stabilitetin ekonomik. Në vend të politikave lehtësuese, po vërehen qasje që vështirësojnë operimin e bizneseve, ndërkohë që praktikat ndërkombëtare tregojnë nevojën për ulje të barrës fiskale, mbështetje të sektorëve kritikë dhe krijim të rezervave strategjike”, shkruan AAK-ja në letër.
Ky subjekt politik, si masë të parë kërkon “lirim të menjëhershëm të së paku 50% nga TVSH-ja për derivatet“ 2. Heqja e përkohshme e akcizës për naftën deri në stabilizimin e tregut, që së bashku me TVSH do të ndikonte në uljen e çmimit për rreth 40 cent për litër; 3. Krijimi urgjent i një taskforce të përbashkët me Odën Ekonomike, Shoqatën e Naftëtarëve dhe shoqatat tjera relevante, në bashkëpunim me MINT dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave; 4. Marrja me qira e deponive ekzistuese në 5–6 pika kryesore dhe krijimi i rezervave maksimale strategjike të naftës”, thuhet në letër.
“Nëse nuk ulet akciza dhe TVSH-ja, çmimet vetëm do të rriten”
Ish-drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, vlerësom se e vetmja formë për rregullimin e çmimit është ndryshimi i politikave fiskale.
“E vetmja formë për rregullimin e çmimit është se duhet të ulet akciza dhe TVSH-ja. Mundet me ndodhë me procedura të shpejta. Me 3 nene mund të bëhet ky projektligj. Del në Kuvend, në Komisione Parlamentare dhe kryhet brenda ditës. Nëse Qeveria nuk ndërmerr ndonjë veprim lidhur me uljen e këtyre politikave fiskale, nuk do të ketë ulje të çmimit, çmimet vetëm do të rriten”, tha ai për Gazetën Enigma.
Ai tha se nuk beson se Qeveria do të ndërmarrë një hap të tillë.
“Unë nuk besoj se logjika e Qeverisë aktuale, e cila është më shumë logjikë socialiste në grumbullimin e taksave, do të veproj kështu, por do ta lërë tregun në mëshirën e çmimit të nivelit global”, shtoi ai.
Tutje, ai tha se rritja e çmimeve do të ketë një efekt domino në gjithë zinxhirin prodhues të të gjitha tregjeve në Kosovë.
“Në prill pritet të ketë rritje të energjise elektrike, plus nafta, kjo do të ketë një efekt domino në zinxhirin prodhues të të gjitha tregjeve në Kosovë. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të duhej të ishte në krye të detyrës në situata të tilla, por një gjë e tillë është e pamundur tani pasi ky institucion është i paralizuar në vendimmarrjen e tij sepse nuk ka një bord në funksion të plotë dhe për këtë kemi edhe stagnim. AKK në të kaluarën, kur kishtë tendencë për rritjen e çmimeve, i rregullonte ato”, përfundoi ai.
MINT: Largimi i TVSH-së nuk është zgjidhje – Pritet projektligji për çmimin tavan
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se se largimi i TVSH-së nuk është zgjidhje sepse nuk ofron asnjë garanci.
Tutje, Kusari – Lila ka thënë se mekanizmat mbrojtës të shtetit janë të kufizuara për shkak të pezullimit të Ligjit për çmimet tavan, i cili është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Të mërkurën, Kusari-Lila deklaroi se ka përfunduar drafti i projektligjit për çmimet tavan dhe se është i gatshëm për t’u dërguar në Qeveri.
Ajo ka theksuar se posa të fillojë puna e Kuvendit të Kosovës, ky projektligj do të dërgohet për miratim nga deputetët, me procedurë të përshpejtuar.
“Sot ka përfunduar komplet drafti i projektligjit për çmimet tavan që i përfshin listat e të gjitha produkteve esenciale dhe shpresojmë të kemi mundësi vazhdimi të legjislaturës 10 dhe me procedurë të përshpejtuar do përcillet në Kuvend për miratim… Ligjin për vendosjen e çmimit tavan e kemi të gatshëm. Nesër me shkresën përcjellëse e dërgojmë për procedim të mëtutjeshëm nga Ministria. Është vlerësimi nga ZKM për vendosjen në rendin e ditës në Qeveri dhe menjëherë përcjellja në Kuvend”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për çmimet e derivateve, Kusari-Lila ka thënë se deri në 30 për qind ka shkuar rritja e çmimit të derivateve në Kosovë që nga fillimi i luftës në Iran.
Ministrja ka shtuar se kriza me naftën në vend shihet si e përkohshme, derisa ka treguar se përgjatë 20 ditëve të marsit janë kryer 130 inspektime, e në tri subjekte janë identifikuar çmime më të larta se që parashihej nga vendimi për marzhën e fitimit.
Kusari-Lila u shpreh se rritja e çmimeve të derivateve në Kosovë është e pashmangshme, pasi është shtet importues dhe ndikohet drejtpërdrejt nga zhvillimet globale. /Gazeta Enigma/
