Qeveria mohon se do të ketë autonomi për serbët e Kosovës – Çka rrezikon të përmbajë Asociacioni i Komunave Serbe

Qeveria mohon se do të ketë autonomi për serbët e Kosovës – Çka rrezikon të përmbajë Asociacioni i Komunave Serbe

Kompetencat që mund ti ketë Asociacioni i Komunave Serbe janë temë diskutimi tash e sa vjet në Kosovë.

Por, kjo çështje është rikthyer në vëmendje pas takimit të fundit të Kryeministrit Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta Enigma.

Që nga ai takim, është dikskutuar në opinion publik një draft i propozuar nga Bashkimi Evropian, i cili përmend edhe formën e Asociacionit, por ky draft nuk është publikuar dhe është parë vetëm nga i pari i ekzekutivit kosovar.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se i është kërkuar nga emisari Lajçak të mos e publikoj draftin e propozuar nga BE-ja.

Kurti madje i ka adresuar disa vërejtje dhe kritika emisarit evropian për dialogun Kosovë – Serbi në lidhje me draftin e Asociacionit që Qeveria e Kosovës ka pranuar më herët.

I pari i ekzekutivit e ka cilësuar draftin si më të ‘avancuar’ se marrëveshja e vitit 2013.

“Ky draft është krejt tjetëe pakrahasimisht më i avancuar por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, andaj unë kam dërguar vërejtjen”, theksoi kryeministri.

Ndër të tjera, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, potencoi se kryeministri Kurti ka shpalosur në vija të trasha mbi propozimin e ndërkombëtarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Haxhiu deklaroi se ky propozim ‘nuk do të ketë autonomi’, pasi që ka pas zëra nga opozita se ky draft është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Nuk ka asnjë autonomi. Nuk do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, tha Haxhiu.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu, ka treguar arsyen se pse ky propozim është më i avancuar se ai i vitit 2013.

“Nuk flasim për një asociacion me kompetenca ekzekutive, për përmbushje të kërkesave të Vuçiqit, jemi palë, dhe më e rëndësishmja është që tash flasim prej pozicionit të shtetit që ka shënuar përparim në luftim të krimit, në drejtat e njeriut në liritë e medias dhe fjalës së lirë”, tha Kryeziu.

Kurse kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se mos-publikimi i draftit të propozuar nga BE është një gabim nga ana e kryeministrit Kurti.

Sipas tij, Kurti nuk e ka shpalosur as tek deputetët e pozitës dhe se sjellja e tij në dialog është pozicionuar në favor të shtetit serb.

“Kurti e ka pranuar në Bruksel Asociacionin pa e nda atë dokument me partitë parlamentare të Kosovës, as me Vetëvendosjen. Mendoj se ai me urgjencë duhet ta ftojë së pari partinë e tij dhe të ua lexojë atë dokument. Ai është vonu, është dashur të ua lexojë para se me thanë po”, është shprehur Haradinaj.

Por, a do të kalojë një draft i propozuar nga Bashkimi Evropian në rast se përmbanë pika kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës?

Analisti i çështjeve politike, Gazmir Raci, thotë se Kosova ka obligime ndërkombëtare që kanë mbetur nga qeveritë e kaluara, dhe se Plani Franko – Gjerman dhe aneksi i Ohrit kanë bërë thirrje për zbatim nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Republika e Kosovës nga dialogu i Brukselit ka obligime ndërkombërare dhe në mesin e atyre obligimeve që ka mbetur për këtë Qeveri nga Qeveritë e kaluara është edhe zbatimi i marrëveshjës së vitit 2013 që asokohe është aprovuar në Kuvendin e Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare e që për legjislacionin në fuqi është mbi githa ligjet e vendit. Duke qenë se e kemi obligim ndërkombëtarë natyrisht së edhe Plani Franko-Gjerman dhe aneksi i Ohrit kanë bërë thirrje për zbatim edhe të këtij obligimi nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe tashmë nuk kuptojë pse bëhet debat për një çështje të tillë e cila është pjesë e marrëveshjes bazike të dakordar në shkurt të këtij viti por edhe të aneksit të Ohrit të dakorduar në mars të këtij viti”, potencoi Raci për Enigmën.

Raci theksoi se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 kishte konstatuar se shumica e pikave për Asociacionin nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 ka konstatuar se shumica e pikave të parimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk kanë qenë në frymën e Kushtetutës së Kosovës andaj mbi këtë vendim por edhe duke marrë për bazë edhe Marrëveshjen e 2013-tës, Letrën e ish-përfaqësueses së BE-së znj, Mogherini por edhe qëndrimet e Qeverisë Amerikane të shprehura në janar të këtij viti ai Asociacion mund të themelohet përndryshe në tjera formate nuk ka mundësi të ndodhë ndonjë gjë tjetër. Nuk ka nëvojë për debate koti sepse Gjykata Kushteuese e Republikës së Kosovës përsëri do të thotë fjalën e fundit sa i përket themelimit të Asociacionit”, ka përfunduar Raci.

Edhe politologu Fidan Ukaj, deklaroi se në rast se një dokument i tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk do të kalojë.

“Nga deklarimet e kryeministrit, edhe të kreut të AAK-së, Haradinajt, i cili deklaroi se e ka pa dhe e ka lezuar këtë draft, dhe sipas asaj që ka thënë Haradinaj, nësë ky draft do t’i nënshtrohet gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, mendojë se Gjykata Kushtetuese nuk do të lejojë të kalojë diçka që bie ndesh me të, prandaj i gjithë besimi mbetet te Gjykata Kushtetuese se edhe në këtë fazë ka element që janë ndesh me legjislacionin në Kosovë. Mendoj se Gjykata Kushtetuese do ta redaktojë e do sjellë hermoni me të”, përfundoi Ukaj për Enigmën.

Ndër të tjera, ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se së shpejti do të mbahet një takim mes dy kryenegociatorëve të të dyja vendeve.

“Kam propozuar një agjendë të drejtpërdrejtë për takimet e ardhshme në Bruksel, në linjë me pritshmëritë e përcjella nga liderët evropianë. Fokusi primar do të jetë në arritjen e progresit të menjëhershëm në zbatimin e Marrëveshjes dhe gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për situatën sfiduese në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak./GAZETAENIGMA/

Related Articles