Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi të mërkurën e 24 majit ka dhënë dorëheqje nga kryesia e kësaj partie, shkruan Gazeta “Enigma”.
Lajmin e bëri të ditur vetë Bislimi përmes një letër dorëheqje që ia ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Bislimi përmes kësaj letre ka njoftuar se vendimi nuk ishte i lehtë, por siç tha ai një nga arsyet e dorëheqjes nga kryesia e LDK-së është përpjekja perfide për të forcuar pozitën personale dhe jo të partisë.
“Fatkeqësisht, kjo LDK që unë zgjedh dhe e dua – sepse besoj fuqishëm që i shërben vendit e kombit – vetëm sa po tkurret konceptualisht nën qasjen e kreut të tanishëm”, tha ndër të tjera Bislimi.
Tutje ai kashtuar se “dashnia e kontributi për vendin e interesin kombëtar kanë qenë dhe mbeten rruga ime e vetme e angazhimit politik. Rugovizmi si djathtizmi autentik kombëtar është fanari im. Kësaj rruge nën dritën e këtij fanari nuk do t’i ndahem”.
LEXO EDHE: A po përqahet LDK-ja me largimin e Bislimit, flet Lutfi Haziri për Enigmën
Në lidhje me këtë çështje deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, tha se largimi i Faton Bislimit nga LDK-ja nuk është fare tregues i çfarëdo lloj përçarjeje brenda kësaj partie.
“Është e drejta e çdonjërit të deklarohet dhe të veprojë në proceset dhe zhvillimet partiake. Sidoqoftë, vendimi i z. Faton Bislimit për t’u larguar nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, nuk është fare tregues i çfarëdo lloj përçarjeje brenda LDK-së”, tha Quni për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai ka shtuar se “në një organizatë të madhe e të strukturuar mirë, me një kulturë të brendshme dhe dinamikë të punës, gjithsesi se do të ketë edhe ndonjë individ të pakënaqur, me apo pa arsye”.
“Përkundrazi, ju siguroj se jemi shumë unik në marrjen e vendimeve në të mirën e qytetarëve dhe forcimin e shtetit të Kosovës”, tha ai./GAZETA ENIGMA/