Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka bërë thirrje sot Këshillit të Evropës të hap negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian sa më parë, sepse po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet.
Pas takimit me përfaqësuesin e lartë të BE-së Josep Borrell, Rama tha se temë e bisedimeve dypalëshe ishte edhe çështja e çeljes së bisedimeve për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Unë mbetem aty ku kam qenë edhe më parë. Kjo është një çështje e BE-së. Komisioni Evropian në mënyrë të përsëritur e ka thënë se Shqipëria duhet të ulet në tryezë për të nisur bisedimet për anëtarësim. Këshilli Evropian nuk ka arritur dot ta bëjë këtë për shkak të një bllokimi së fundmi të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo nuk është diçka që e kemi ne në dorë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “ne jemi këtu të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve për anëtarësim sapo të hapet drita jeshile, por nuk do të humbasim asnjë minutë nga ai pak gjumë që flemë, që kjo të ndodhë, sepse ndërkohë do të vazhdojmë të bëjmë punën njësoj sikundër të ishin hapur bisedimet” ka theksuar Rama. /Gazeta Enigma/.