Kosova ka ngecur në zhvillimin e reformave që duhet t’i plotësoj me qëllim që të anëtarësohet nën ombrellën e Bashkimit Evropian. Kështu thekson Raporti i Progresit për vitin 2021 për vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Gazeta “Enigma”.
Për këtë dy faktor kryesorë përmenden në raport. Sipas Komisionit situata e paqëndrueshme politike si pasojë e zgjedhjeve të shpeshta të parakohshme dhe pandemia e Covid-19.
“Zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive, por forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi fushatën zgjedhore dhe financimin e partive politike mbetet një fushë ku duhet të kryhen reforma të thella” thuhet në raport.
Bazuar në këto gjetje, Komisioni Evropian u bën thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës së evropiane, e cila sipas tyre është lënë anash.
“Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshëm me Serbinë”. Sipas Komisionit Evropian, një marrëveshje e tillë me Serbinë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian.
Ku qëndron Kosova në dialog me Serbinë sipas KE?
Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale në “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara” të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë dhe të “kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thekson Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.
Sipas KE-së, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe thelbësore në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën e tyre drejt BE-së.
KE nuk ka kaluar pa përmendur edhe situatën në veri të Kosovoës, sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes dhe thuhet se situata në këtë pjesë është ende sfiduese.
Stagnimi në luftën kundër korrupsionit
Pothuajse se në secilin vit, KE-ja ka të njëjtat komente për Kosovën, kur flet për sistemin e Drejtësisë. Në raport theksohet se reformimi vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i cenueshëm nga ndikimi politik.
“Kosova ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por duhet shtuar përpjekjet për hetime më aktive, vendime përfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të pasurive të paligjshme”.
Tutje aty potencohet se “Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit” posaçërisht në lidhje me rehabilitimin dhe ri-integrimin e familjarëve të luftëtarëve terroristë që morën pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme”.
Si edhe në vitet e mëparshme, prej vitit 2018, në raportin e Progresit të Komisionit Evropian përmendet që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por, një gjë e tillë akoma nuk po ndodh.
Kosova është i vetmi vend në Evropë që ka kufizim të lirisë së lëvizjes në zonën Shengen.
Sa i përket lirisë së shprehjes, Raporti i KE-së thotë se Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe ka pluralizëm të mediave. Megjithatë, ka shqetësime lidhur me fushatat e shpifjes, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve.
“Mungesa e vetëfinancimit të qëndrueshëm, të përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia COVID-19, i lë mendiat e ndjeshme ndaj interesave politike dhe biznesore. Transmetuesi publik po ashtu është i ndjeshëm ndaj ndikimit politik dhe duhet të gjendet një zgjidhje sa i përket financimit të tij”, thuhet në raport.
Si e sheh Qeveria e Kosovws raportin?
Ende pa u publikuar raporti i plotë, me të pranuar atë, kryeministri Albin Kurti doli para mediave.
Duke mos e kundërshtuar asnjë konkluzion të raportit të progresit Kurti, tha se qeveria e tij tashmë po bën përpjekje të pandalura që të përmirësojë situatën në fushën e sundimit të ligjit.
“Kemi miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, projektkodin e procedurës penale dhe ligjin për Agjencinë kundër Korrupsionit si dhe e kemi finalizuar draft-dokumentin për zhvillimin e Vettingut dhe draftin e parë të projektligjit për verifikim dhe konfiskim të pasurisë të pajustifikuar, veprime këto që do të forcojnë dhe avancojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti ka përmendur dy proceset e fundit zgjedhore, atë të zgjedhjeve të përgjithshme në shkurt dhe të zgjedhjeve lokale në tetor, procese këto që i vlerësoi si transparente dhe me garë demokratike.
“Në këta gjashtë muaj të qeverisë kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve, që përbën progres të madh shoqëror, që do ta kishin zili, jo vetëm rajoni, por edhe jo pak vende të Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha, se Kosova do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar për bisedime me Serbinë, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. / Gazeta Enigma.