Rasti i trevjeçarit në Fushë Kosovë – Psikologu jep detaje si ndikojnë këto raste tek fëmijët dhe prindërit

Rasti i trevjeçarit në Fushë Kosovë – Psikologu jep detaje si ndikojnë këto raste tek fëmijët dhe prindërit

Një fëmijë trevjeçar është dhunuar nga edukatoret në çerdhen shtetërore “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Familjari i L., fëmijës që dyshohet se u dhunua në këtë çerdhe Faton Geci, ka publikuar video-incizimin në llogarinë e tij në Facebook, ku shihet dhuna e ushtruar ndaj nipit të tij dhe ka njoftuar se fëmija ka pësuar trauma të rënda psikike dhe nuk mund të flejë më, po përjeton një ankth të madh.

Daja i trevjeçarit në një prononcim për mediat në Shqipëri tregoi se nipi ka shenja të tjera dhune në kokë e në qafë.

“Është hera e parë që ka nisur në këtë çerdhe në 1 shtator, ka vetëm 3 javë në këtë çerdhe, që fatkeqësisht është çerdhe shtetërore. Gjendja e nipit është shumë e keqe, me urdhër të prokurorisë ka nisur ekzaminimi mjekësor. Kur kanë nisur ekzaminimet janë konstatuar edhe shenja të shumta dhune në kokë, sidomos në pjesën e pasme të qafës”, tha daja i të miturit.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me psikologun Rron Kastrati, i cili ka theksuar se rastet e tilla duhet të analizohen në mënyrë të detajuar nga institucionet që monitorojnë çerdhet shtetërore dhe ato private.

Tutje ai ka shtuar se publikimi i rasteve të tilla në media ndikon tek të gjithë prindërit që kanë fëmijë në çerdhe.

Ai ka propozuar që në të gjitha çerdhet të ketë prezent psikolog që të krijojnë plane strategjike që fëmijët të kenë një cilësi shumë produktive në zhvillimin e mësimeve dhe aftësive tjera afirmuese.

Psikologu Kastrati ka theksuar se një punë të veçantë në lidhje me këto raste po e kryejnë edhe mediat me raportimin e tyre në kohë reale.

“Qëllimi ynë është të parandalojmë këto dukuri, jo t’i reduktojmë ato, sepse dhuna është evidente edhe në familje, në shoqëri, abuzime dhe bullizime përveç çerdheve ka edhe në shkolla”, tha ai.

“I bëjë thirrje njerëzve dhe publikut të gjerë, që të raportojnë raste sa herë që dyshojnë se në një çerdhe private apo publike, fëmijët po përjetojnë një shqetësim evident emocional dhe psikologjik ose ndihen të diskriminuar, të bullizuar, të ngacmuar ose kanë frikë, shmangin shkuarjen në çerdhe dhe në anën tjetër ndjehen të stepur apo të neglizhuar”, tha Kastrati.

Intervista e plotë:

Gazeta “Enigma”: Si duhet të veprohet në këto raste, kur ka dhunë në të mitur nga edukatoret në institucionet edukativo-arsimore shtetërore?

Psikologu Rron Kastrati: Unë theksoj në cilësinë e psikologut se ky rast por edhe të gjitha rastet tjera ku dhuna e ushtruar ndaj fëmijëve, të miturve me keqdashje ose nga pakujdesia e edukatorëve ose stafit tjetër që janë të përfshirë në çerdhet e tilla, meritojnë një analizë të detajuar institucionale, sepse institucionet përkatëse të cilët monitorojnë çerdhet private apo publike kanë për detyrë të realizojnë vlerësime profesionale për edukatorët të cilët janë të kualifikuar dhe çfarë përgjegjësish dhe shërbimesh ofrojnë, çfarë kujdesi kanë ndaj të miturve, fëmijëve që janë në çerdhe dhe sikundër dhuna e ushtruar ndaj këtij fëmiu duket qartë se mund t’i sjelli më vonë pasoja të një stresi traumatik.

Gazeta “Enigma”: Si ndikon në publik raportimi dhe publikimi i ngjarjeve të tilla me video të detajuara?

Psikologu Rron Kastrati: Kur përmendim stresin traumatik ne jemi dëshmitarë të ngjarjeve të detajuara dhe informacioneve të dhëna në portalet mediatike, ku theksohet se kjo dhunë ka shqetësuar po ashtu familjarët e këtij të mituri dhe si rrjedhojë mendoj se kjo edukatore apo secili pjesëtar i stafit teknik ndihmës në këtë çerdhe duhet të vlerësohen dhe njëkohësisht të marrin dënimin apo ndëshkimin e merituar institucional.

Kjo ka shpërfaqur në botën mediatike në Kosovë një lajm të hidhur dhe sigurisht që ky lajm ndikon ekskluzivisht në perceptimin publik edhe të atyre prindërve tjerë që i dërgojnë fëmijët në çerdhe vetëm me idenë dhe sigurinë se aty fëmiu është në kujdesin primar të edukatorëve dhe gjithçka po ecën rrjedhshëm.

Gazeta “Enigma”: Çfarë duhet të bëhet në këto institucione që të eliminohen këto raste?

Psikologu Rron Kastrati: Sigurisht, institucionet duhet të krijojnë një komision përkatës që realizojnë vlerësime të tilla të detajuara në çerdhet private apo publike.

E imagjinoni, po e ngre si çështje shumë serioze, po në ato çerdhe ku ne nuk kemi të informuar dhe nuk kemi raportime konkrete se si po ecën puna atje, çfarë kujdesi ofrohen edukatoret tjera, a mund të shfaqen këto fenomene apo dukurive të tilla dhunuese ndaj fëmijëve, ne pamë në pamje të regjistruar se fëmijët qante, përjetonte…joreati, sikletosje, çarje dhe kjo rrjedh si pasojë e keqmenagjiimit të asaj çerdhe, menaxhmentit dhe edukatorës që nuk e kishte as më të voglin kujdes ndaj këtij fëmijë, përveç se ushtronte një dhunë, një kapje të fëmijët nga një cep në cepin tjetër dhe ndërkohë fëmiju vendosej, kushtëzueshëm dukej me një dhunë në mesin e fëmijëve tjerë në tavolinë dhe sigurisht që nuk ndiente edhe atyre atij.

Gazeta “Enigma”: Propozimi juaj për ndalimin dhe kapërcimin e këtyre situatave?

Psikologu Rron Kastrati: Në të tilla raste, të gjitha këto pamje duhet të miranalizohen dhe propozoj që çerdhe të tilla duhet ta kenë psikologun këshillues, psikologun përgjegjës që mund të vlerësojë, krijojë plane strategjike që fëmijët të kenë një cilësi shumë produktive në zhvillimin e mësimeve dhe aftësive tjera afirmuese dhe atashuese, sepse çerdhet këtë punë kanë, të ofrojmë për fëmiun atashimin e duhur, t’i mësojmë gjërat më fillestare për botën, njerëzit, rregullat dhe ta argëtohen përmes terapive të ndryshme, lojërave dhe strategjive tjera.

Gazeta “Enigma”: Çfarë mundë të bëjë një psikolog në të tilla raste?

Psikologu Rron Kastrati: Po e propozoj publikisht që edukatorët duhet të ndjekin një cikël trajnimesh dhe duhet të vlerësohen përmes një testi psikologjik, në mënyrë që të rezultojnë të gatshme që ta ofrojnë shërbimin e tyre edukativ. Në këto cikle parashkollore, në çerdhe dhe institucione tjera.

Gazeta “Enigma”: Pse dhe çfarë mund t’i sjelli produktivitet ky lloj propozimi?

Psikologu Rron Kastrati: Ne mund ta kemi një pasqyrë të qartë, se cila edukatore apo ajo edukatorja tjetër, mund ta ofrojë një shërbim cilësor edukativ. Sigurisht që mund të jetë të kualifikuara, mund të ketë diplomë përkatëse, por duhet t’i nënshtrohen një trajnimi konkret për mbarëvajtjen e shërbimeve cilësore edukative dhe këto janë konkrete dhe prioritare sepse kjo është më së nevojshme.

Gazeta “Enigma”: Sa ndikon media në identifikimin e dhunuesve në çerdhe?

Psikologu Rron Kastrati: Të gjitha mediat duhet të vijnë në funksion dhe të realizojnë intervistime, monitorime në qela të ndryshme dhe shohin se si po ecën puna atje, në mënyrë që pastaj të kuptojmë e t’i identifikojmë problemet dhe shkaqet apo fenomenet e dukurive të tilla, të cilat janë krejtësisht antisociale dhe që dëmtojnë strukturën shoqërore dhe besimin e prindërve, të cilët i dërgojnë fëmijët në çerdhe apo në institucione parashkollore.

Gazeta “Enigma”: Si është parë nga syri i psikologut dhuna ndaj trevjeçarit në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë?

Psikologu Rron Kastrati: Duke parë shkallën e rrezikshmërisë se sa fëmijë kanë përjetuar një dhunë të tillë apo një abuzim emocional, ashtu siç e pamë nga pamja ne mund të kuptojmë se cilat mund të jenë rrugët më të afërta që mund të na ofroj zgjedhje, një solucion konkret për t’i parandaluar këto dukuri.

Por në çerdhe një fëmijë që qan dhe nuk e ndalon dot askush, nuk i ofron askush përkrahjen emocionale, nuk i afrohet askush që ta kuptojë se çfarë vështirësi po kalon ky fëmijë, nuk u informohet prindi, në anën tjetër, fëmijët e tjerë e shohin, ndjehet i diskriminuar, të gjitha këto përbëjnë hallkën konkrete, zinxhirore të studimit të mprehtë, në mënyrë që të funksionalizohen mekanizmat parandaluese institucional për të reduktuar në tërësi problemin dhe për t’a parandaluar dhunën, abuzimet tjera emocionale që mund t’i kujtojë një fëmije krejtësisht të pafajshëm që qan dhe kërkon ndihmën e një personi adekuat.

Gazeta “Enigma”: Mesazhi juaj?

Psikologu Rron Kastrati: Mesazhi im në cilësinë e psikologut është se kjo edukatore apo çdo lloj edukatori tjetër, tashmë duhet të vlerësohet, kur them vlerësohet e kam fjalën në fazat e para nga organet kompetente, të intervistohet dhe në anën tjetër duhet që një psikolog profesionist dhe i kualifikuar të realizojë një vlerësim adekuat për gjendjen emocionale të fëmijëve nga ajo dhunë e ushtruar nga kjo edukatore apo nga secila edukatore tjetër aty.

Për të gjitha këto adresa e vetme është psikologu që mund t’i vlerësojë dhe pastaj mund t’i gërshetojë duke i ndarë si raportime me institucionet relevante, në mënyrë që të monitorohet dhe të reduktohen këto dukuri dhe fenomene, sepse unë besoj dhe shpresoj se duke ndjekur këtë procedurë logjike, bashkëpunuese, unitare me institucionet dhe me personat përgjegjës, duke vënë theks si pikë referente edhe prindin që mund ta njehë shumë thellë botën e fëmijëve të tij, ne këtë informacion mund ta ezaurojmë dhe mund ta përpunojmë në rrugë metodologjike, shkencore, institucionale, të cilat pastaj të gjitha këto i adresohen Gjykatës, Prokurorisë që ka nisur hetimet dhe i procedon këto raste në spektrin e botës së drejtësisë, në rrugë ligjore apo juridike. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles