Reagon KEDS: Ne nuk rrisim çmime e as nuk ndryshojmë tarifa

Reagon KEDS: Ne nuk rrisim çmime e as nuk ndryshojmë tarifa

KEDS-i ka reaguar për propozimin për shtrenjtim të rrymës dhe debatit në Kuvend, duke thënë se nuk janë ata që rrisin çmime dhe se nuk janë përgjegjës as për strukturën tarifore, raporton Gazeta Enigma.

Ky reagim vjen pas aksionit të Partisë Socialdemokrate te Qeveria e Kosovës.

Nga kjo kompani thonë se ata kanë të drejtë që të bëjnë propozime në aplikimin tarifor, por që në fund vendimet i merr Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Në aplikimin tarifor, të gjitha Palët e Interesit, duke na përfshirë edhe neve, kemi të drejtë të dërgojmë propozime tona. Por, është ZRRE ajo që merr vendimet. Deri tash, 95 për qind e propozimeve tona nuk janë marrë parasysh. Pra, heqja e bllok tarifës në vitin 2017 ishte dhe mbetet përgjegjësi ekskluzive e ZRRE-së. Ne nuk jemi politikbërës, por jemi vetëm kompani operative”, thuhet në komunikatë.

Postimi i plotë:

Ndryshe, Partia Socialdemokrate në një aktivitet protestues në objektin e Qeverisë së Kosovës, ka vendosur një baner të KEDS-it në hyrje të kësaj zyre.

Sipas Nol Nushit nga kjo parti, Qeveria i është nënshtruar totalisht një kompanie private siç është KEDS-i. Ai u ankua edhe për sjelljen e Policisë teksa po mban aktivitetin protestues.

“Ishit dëshmitar të një sjellje totalisht absurde nga rojet dhe Policia e kësaj Qeverie për një baner që është i letrës. E shihni nga çfarë aktiviteti frikësohet kjo Qeveri, por s’kanë faj sepse janë totalisht të panikuar me vendimet që po i marrin dhe i janë nënshtruar totalisht një kompanie private siç është KEDS-i. Kjo nuk është zyrë e Qeverisë që përfaqëson interesat qytetar, por është një zyrë e nënshtruar totalisht ndaj KEDS-it dhe KESCO-s”, deklaroi Nushi.

Kurse, ai gjithashtu ka paralajmëruar një protestë për të shtunën, në lidhjen me shtrenjtimin e çmimit të energjisë./Gazeta Enigma/

Related Articles