Reformat e arsimit në Kamenicë, a e “dënuan” qytetarët me humbje Kastratin shkaku i tyre?

Reformat e arsimit në Kamenicë, a e “dënuan” qytetarët me humbje Kastratin shkaku i tyre?

Permtimi gjatë fushatës elektorale për ndërprerja e reformës në arsim në Komunën e Kamenicës nga kundërkandidati i tij ndikoi në humbjen e Qëndron Kastratit për kryetar të kësaj komune.



Kështu ka deklaruar ish kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati në një përgjigje për Gazetën Enigma.

Kastrati theksoi se sipas tij njëra nga arsyet që ai humbi zgjedhjet lokale ishte ngase pushteti e përdori popullizmin, shantazhin e premtimet duke manipuluar me gjendjen e shoqërisë.

“Është mëse e qartë që reformat në arsim kanë ndikuar në disponimin e pesë fshatrave në këto zgjedhje, e cila ka ndikuar dukshëm në rezultat”, është shprehur ai.

Ndërkohë, të martën pas shpalljes së rezultateve të para, në fshatrat e Kamenicës u festua me tupanë e valle “ndërprerja” e reformës në arsim, pasi kryetari i zgjedhur Kadri Rahimaj kishte premtuar gjatë fushatës se nuk do ta zbatoj reformën e nisur nga paraardhësi i tij Qëndron Katrati.

Festa në oborrin e shkollës “Sadri Misini” nga banorët e fshatit Shipashnicë e Epërme

Lidhur me këtë, Kastrati shprehet se një institucion arsimor për të qenë i hapur duhet të ketë vendimin e komunës e një gjë e tillë ende nuk qëndron.

“Ajo çështje populliste që po mbyllen shkollat shqipe e kanë pru situatën ashtu që banorët pas rezultateve të zgjedhjeve kanë shkuar dhe kanë hyrë në objektet shkollore, por ende nuk është bërë transferi i pushtetit, nuk është shkollë e hapur ajo”, ka përfunduar ai.

Ish kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati

Se a do të hapen shkollat nëpër fshatrat e Kamenicës ashtu siç kishte premtuar në fushatë, Gazeta Enigma ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e zgjedhur, Kadri Rahimaj, por ky i fundit nuk është përgjigjur.

LEXO EDHE: Kastrati zbulon “pazaret” e VV-së në Kamenicë për ta fituar pushtetin

Kurse, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja thotë se shkolla është institucion që ka në qendër komunitetin andaj edhe rëndësia e përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje lokale është problematike.

“Ristrukturimi i shkollave fillore të mesme të ulëta në Komunën e Kamenicës është mirë pranuar në disa fshatra, por kundërshtuar në një numër tjetër për të cilën komunitetit lokal ka pas mendim ndryshe” ka shtuar tutje Qehaja për Gazetën Enigma.

“Rikujtoj që problemi nuk është i kufizuar vetëm në Komunën e Kamenicës, përkundrazi është shumë më i shfaqur në komuna tjera”, ka deklaruar ai kur është pytur se a e penalizoi reforma në arsim Kastratin me humbjen e këtij mandati.

Njohës i arsimit, Rinor Qehaja

Ndryshe, beteja e prindërve nga Kamenica dhe Komunës së Kamenicës ka kaluar disa herë nëpër Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe atë të Apelit.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj të fundit të janarit të këtij viti e kishte aprovuar ankesën e Komunës së Kamenicës dhe i kishte dhënë dritën jeshile vazhdimit të reformës pasi për dy herë radhazi Gjykata e Prishtinës kishte vendosur që ta aprovonte kërkesën e prindërve nga disa fshatra të Kamenicës të cilët kërkonin shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës për fazën e tretë të riorganizimit të shkollave.

Të pakënaqur me vendimin e Apelit, prindërit nga Kamenica lëndën e dërguan në Supreme.

Mirëpo, Gjykata Supreme në vendimin e saj ka konstatuar se Gjykata e Apelit ka vepruar drejt kur e ka aprovuar ankesën e Komunës së Kamenicës, vendim i cili çoi në refuzimin e kërkesës së prindërve që kërkuan shtyrjen e ekzekutimit të Komunës për riorganizimin e shkollave.

Më 9 shtator, Komuna e Kamenicës kishte marrë vendim që të vazhdonte me fazën e tretë të riorganizimit të shkollave.

Vendimi i riorganizimit në arsim të shkollave në Kamenicë

Ky vendim përfshin shkollat në fshatrat: Karaçevë e Epërme, Karaçevë e Poshtme, Topanicë, Petroc, Hogosht, Kopërnicë, Liskovë, Dazhnicë, dhe paralelet e ndara në Velegllavë, Poliçkë, Shipashnicë e Epërme, Shipashnicë e Poshtmë, Lajçiç, Tërstenë, Sedllar, Muçiverc, Kranidell dhe Dajkoc.

Vlenë të theksohet se në Komunën e Kamenicës, 25% e shkollave kanë më pak se pesë nxënës kurse në 19 komuna në Kosovë janë gjithsejtë 340 klasa që kanë më pak se 5 nxënës./Gazeta Enigma/

Numri i klasave sipas numrit të nxënësve

Related Articles