Të dielën e 14 nëntorit, zgjedhjet lokale të raundit të dytë sjellën kryetarë të ri për udhëheqje nëpër Komuna të Kosovës, mirëpo disa prej kandidatëve mandatin e vazhduan edhe për katër vite me radhë, shkruan Gazeta Enigma.
Në këto zgjedhje, disa parti morën më shumë komuna, e disa më pak. Vetëvendosja është ajo që mori vetëm katër komuna, për dallim nga zgjedhjet nacionale.
“Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm dhe me siguri që edhe ata kanë gjykuar drejtë, sepse premtimeve të zgjedhjeve të kaluara, premtimet historike të Vetëvendosjes i kanë gjykuar se a munden me iu përmbajtë apo jo”.
Kështu ka thënë për Gazetën “Enigma” deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Haliti ka thënë se problemi qëndron se edhe partitë e tjera kanë qenë shumë aktive në fushata dhe sipas tij elektorati i fjetun është angazhuar më shumë.
Sipas tij Vetëvendosja ka humbur me një vetëbesim në vete dhe në premtime boshe që i ka dhënë siç ka bërë në fushatën e kaluar.
“Problemet e organizimit të brendshëm të Vetëvendosjes kanë shpërfaqur mungesën e figurave në nivel lokal“
Kështu ka thënë për Gazetën “Enigma”, analisti i çështjeve politike, Rasim Alija, derisa ka theksuar se arsyeja e rënies së VV-së është edhe përzgjedhja e kandidatëve jo të duhur, duke u nis sipas tij nga Gjakova, Mitrovica, Vushtrria dhe Prizreni.
Faktor tjetër sipas tij është edhe natyra e zgjedhjeve lokale, që nënkupton se gara po bëhet duke ndërtuar kauza për zgjidhjen e problemeve në nivelin e Komunës, jo duke ndërtuar tregime mbi tema të mëdha.
“Ndërsa në raundin e dytë është pothuajse e pashmangshme, ndërtimi i aleancave e subjekte të tjera politike që nuk janë në garë, gjë të cilën LVV nuk ka ditur dhe nuk ka dashur ta bëjë”, ka thënë Alija.
Ai shtoi se LVV përpos Gjilanit nuk ka arritur të fitoj asnjë komunë tjetër të madhe. Madje, Alija theksoi se kjo parti nuk arriti t’i fitoj edhe dy komunat më të mëdha, Prishtinën dhe Prizrenin.
Mirëpo, si përfundim, analisti Alija ka thënëse Vetëvendosja është më mirë se sa në zgjedhjet e vitit 2017.
Madje, rezultatin e VV-së e ka komentuar edhe vetë lideri i kësaj partie, Albin Kurti, i cili ka thënë se rezultati jo i kënaqshëm për neve vjen si rezultat i disa defekteve të brendshme, probleme këto që sipas tij duhet analizuar më gjatë në vijim.
LEXO EDHE: Kurti komenton rezultatet e zgjedhjeve lokale
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje lokale ka arritur ta komunën e Gjilanit, Podujevës, Kamenicës dhe Shtimës, për dallim nga zgjedhjet nacionale që mori 48% të votave. /Gazeta Enigma/.