“Pas shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor është mëse e nevojshme që të krijohet një mundësi për qytetarët që të tërheqin në Trustit Pensional deri në 30% të kursimeve te tyre”, thotë i bindur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në një bisedë telefonike për Gazetën Enigma.
Sipas Haxhiut këtë propozim e ka bërë me kërkesë të shumë qytetarëve dhe e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës.
“Me kërkesë të shumë qytetarëve unë kam ripropozuar tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30%, këtë propozim e kam proceduar në Kuvend dhe pres qe te merr përkrahjen e të gjithë deputetëve nga të gjitha subjektet politike”, thekson deputeti i PDK-së.
Haxhiu nënvizon se me miratimin e këtij propozimi qytetarët që kanë të ardhura më të ulëta do tu ofrohet mbështetje edhe më shumë.
“Ata që kanë më pak mjete në Trust t’u lejohet të tërheqin me shumë mjete me qëllim që ta përballojnë më lehtë situatën aktuale për shkak të krizës ekonomike dhe rritjes enorme të çmimeve në të gjithë sektorët pa dallim”, përfundon ai.
Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë se nëse Qeveria nuk ka asnjë zgjedhje tjetër të paktën duhet t’ia lejojë qytetarëve ti tërheqin kursimet e tyre.
“Meqë kjo qeveri nuk po ka asnjë zgjidhje dhe as nuk po i përkrah përmes buxhetit, së paku duhet t’ia lejojë qytetarëve që t’i tërheqin kursimet e tyre…T’ua japë një mundësi që të rritet fuqia financiare. Fuqia financiare ndikon në rritjen e konsumit që do të kishte ngjallë edhe aktivitetin ekonomik te bizneset, por edhe do të kishte fuqizuar portofolin e çdo qytetari”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ai thotë se kjo përqindje do ta lehtësonte sado pak jetë ekonomike për të gjithë qytetarët.
“Është shumë e mirëseardhur për qytetarët tërheqja e 20 % të Trustit për faktin se do ta lehtësonte jetën ekonomike të tyre. Po ashtu do të ndikonte në fuqizimin e konsumit, rrjedhimisht do të ndihmonte edhe vetë biznesin”, ka theksuar Kadriaj.
Kujtojmë se me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, qytetarëve iu ishte mundësuar të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti si ndihmë për periudhën e pandemisë.
Qysh atëherë kishte pasur propozime që qytetarëve t’iu lejohej të merrnin deri në 30 për qind nga Fondi Pensional i tyre.
Për katër muaj sa zgjati aplikimi, 427 mijë e 371 veta tërhoqën mbi 197 milionë euro. Rreth 120 milionë euro prej tyre do të rimbursohen në 5 vitet e ardhshme, për personat që tërhoqën më pak se 1 mijë euro.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, në qershor të vitit që lamë pas njoftoi se rimbursimi i 10% të kursimeve nga Trusti do të filloj nga viti 2023.
“Propozim vendimi përcakton se rimbursimi do filloj nga viti 2023 dhe do të vazhdoj në vitet pasuse, dhe shuma do të caktohet në ligji për buxhet për vitet e ardhshme”, kishte theksuar Murati./Gazeta Enigma/