Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirë në rajon e në Evropë, pavarësisht rritjes së tarifave.
Këtë deklaratë, Rizvanolli e dha në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet rezoluta e propozuar nga PDK’ja për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës dhe heqjen e bllok tarifës.
“Me subvencionimin më të ulët në rajon dhe përkundër rritjes së tarifave, Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirin në rajon e Evropë”, tha Rizvanolli.
Ajo goditi pushtet e kaluara për dobësitë në sistemin energjetik.
“Kriza na shpërfaqi të gjitha dobësitë e sistemit tonë energjetik, të cilat ishin shumë të mëdha e nuk do të ishin kaq të mëdha po të mos ishin politikat e tuaja të gabuara e dështimet e dekadave të fundit që kishin sjellë rritje abnormale të konsumit të energjisë elektrike në bazë vjetore, duke hequr bllok tarfiën me ndërhyrje të pastra politike e duke mos investuar në eficiencë të energjisë”, deklaroi Rizvanolli.