Roli i bankave në zbulimin e rasteve të pastrimit të parave

Roli i bankave në zbulimin e rasteve të pastrimit të parave

Resmije Sadiku

Transaksionet me përdorim të madh të parave të gatshme dhe transaksionet me vlera të larta janë një nga sinjalet më të shpeshta të alarmit për pastrim të parave në kuadër të industrisë bankare, më saktësisht në nivelin e shërbimeve bankare me pakicë, që është ofrimi i produkteve dhe shërbimeve direkt për klientë personalë dhe të biznesit.

Njësia e Inteligjencës Financiare ka renditur tetë tipologji që ilustrojnë disa nga risqet e pastrimit të parave të Kosovës në sektorin bankar, në një raport të publikuar në vitin 2020.

Një nga tipoligjitë është kur një shtetas i huaj me qëndrim në Kosovë i ka përdorur llogaritë në banka lokale për të pastruar fonde të paligjshme. Këto fonde u transferuan nga një subjekt i huaj biznesi me qëllim të mospagimit të tatimeve tek autoritetet përkatëse tatimore. 

Pasi transferit të fondeve të paligjshme, shtetasi i huaj bëri tërheqje të shumëfishta parash nën pragun e raportimit, duke ndjekur një model specifik, që është tërheqje ditore të parave në kartëmonedha prej 500 eurosh. Tërheqjet e shumëfishta dhe të njëpasnjëshme të parave të gatshme në kartëmonedha 500 euro quhet “smurfing”.

“Nëse këto transaksione do të ishin bashkuar në një të vetëm, do të raportohej tek autoritetet lokale. Përmes smurfing-ut kriminelët zakonisht i integrojnë fondet e pastruara në ekonomi” – thuhet në raport.

Një tipologji tjetër është kur dy subjekte depozitojnë kartëmonedha të shumta në vlerë 50 euro, të cilat shtypen ndryshe, një strategji kjo e zbatuar nga institucionet bankare për të identifikuar paratë e vjedhura. Këta individë, pa ndonjë lidhje të dukshme mes tyre, bëjnë depozita në llogaritë e biznesit të hapura kohët e fundit për t’u dhënë këtyre fondeve një fasadë ligjshmërie (qarkullim që vjen nga aktivitetet e biznesit).

Në këtë rast, tregues të riskut të lartë janë operacionet me para të gatshme dhe kartëmonedhat e shënuara. 

“Duke qenë se normalisht nuk është e mundur të gjurmohet lidhja e individëve me paratë e gatshme, kriminelët zakonisht operojnë me para të gatshme. Prandaj, operacionet me para të gatshme me vlerë të lartë mund të lidhen me aktivitete të paligjshme dhe duhet t’u nënshtrohen analizave” – vazhdon shpjegimi i treguesve të riskut të lartë te raporti i NJIF.

Në Kosovë, lufta kundër pastrimit të parave bëhet nga disa institucione dhe në mënyra të ndryshme. Këtu përfshihet Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) që operon në kuadër të Ministrisë së Financave, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Dogana e Kosovës dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që ndër të tjera bën rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare në Kosovë.

Mekanizmat e bankave për identifikimin dhe parandalimin e pastrimit të parave

Shoqata e Bankave të Kosovës ka thënë se bankat luajnë një rol kyç në parandalimin dhe zbulimin e pastrimit të parave, duke mbrojtur veten dhe duke siguruar qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit financiar.

Për më tepër, kjo Shoqatë ka thënë se sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, bankat konsiderohen subjekte raportuese ku përfshihet plotësimi i një serie të masave parandaluese.

“Nëse një bankë në Kosovë dyshon për një rast të mundshëm të pastrimit të parave, ajo duhet fillimisht të identifikojë dhe analizojë transaksionin e dyshimtë përmes sistemeve të monitorimit dhe të vlerësojë nivelin e rrezikut. Në përputhje me ligjin, banka është e obliguar ta raportojë rastin tek Njësia për Inteligjence Financiare përmes një Raporti të Transaksionit të Dyshimtë (STR)” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Në raste specifike, nga Shoqata kanë thënë se banka mund të bllokojë përkohësisht transaksionet ose llogaritë për të parandaluar veprimtari të paligjshme, duke ndjekur udhëzimet e autoriteteve përkatëse.

Gjithashtu, banka bashkëpunon me institucionet përgjegjëse si BQK, Policia dhe Prokuroria për të ofruar informacion shtesë dhe për të ndihmuar në hetime.

“Për të forcuar më tej mbrojtjen kundër pastrimit të parave, bankat rishikojnë dhe përmirësojnë rregullisht politikat e tyre të brendshme dhe trajnojnë punonjësit për të zbatuar praktikat më të mira të kontrollit financiar” – kanë deklaruar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Një nga bankat që operon në Kosovë, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), ka treguar se roli i tyre në zbulimin e rasteve të pastrimit të parave është të zbatojnë politikat sipas Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe rregullores së BQK-së.

“Në Bankën Kombëtare Tregtare Kosovë jemi plotësisht të përkushtuar për të kryer operacionet tona bankare në përputhje me standardet më të larta të integritetit, transparencës dhe përgjegjësisë etike. Roli ynë si bankë është të zbatojmë rreptësisht politikat dhe procedurat për të parandaluar aktivitetet e paligjshme financiare, duke siguruar respektimin e të gjitha ligjeve, rregulloreve dhe udhëzimeve përkatëse, përshirë Ligjin Nr. 05/L-096 dhe rregulloren e BQK-së për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” – thuhet në përgjigjen e BKT-së.

Nga BKT kanë treguar se me qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme financiare dhe përcaktimin e nivelin e mundshëm të rrezikut, ata kanë programin e pajtueshmërisë, që është i fokusuar në njohjen e klientit dhe vlerësimin e natyrës së marrëdhënies së tij biznesore.

“Për më tepër, në përputhje me kërkesat ligjore dhe praktikat më të mira të industrisë, kemi implementuar mekanizma efektivë monitorimi dhe kontrolli, për të zbuluar dhe raportuar çdo transaksion ose aktivitet të dyshuar për pastrim parash, financim të terrorizmit apo krime të tjera financiare” – kanë deklaruar nga BKT.

Ku dhe si raportohen transaksionet e dyshimta?

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, të gjitha transaksionet e dyshimta financiare, nëse hasen nga bankat ose institucionet mikrofinanciare, duhet të raportohen tek NJIF. Pas analizës, NJIF referon rastet tek Policia e Kosovës ose, nëse ka indikacione për shmangie tatimore, ato i përcillen ATK-së.

“Hetimi i veprave penale pastrimi i parave është kompetencë e Policisë së Kosovës, ndërsa bankat komerciale, institucionet mikrofinanciare dhe entitetet tjera raportuese, të cilat janë të përcaktuara sipas Ligji për Shpëlarjen e Parave dhe Parandalimin e Financimit të Terrorizmit, për të gjitha transaksionet e dyshimta financiare, janë të obliguara që përmes raporteve të aktiviteteve të dyshimta (SAR), ta njoftojnë Njësinë e Inteligjencës Financiare” – thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Pastaj NJIF bazuar në informatat që i ka, përpilon raportin dhe nëse ka dyshime për shpëlarjen e parave raportohet edhe në Policinë e Kosovës.

“Pas pranimit të këtyre raporteve NJIF bazuar edhe në informatat e tjera të siguruara nga institucionet të tjera për zbatimin e ligjit (në mesin e tyre edhe nga ATK-ja), përpilon raport të inteligjencës dhe në rastet kur kemi të bëjmë me dyshimet për shpëlarje të parave raportin e adreson tek Policia e Kosovës” – kanë shtuar nga ATK.

Ndërsa nëse ka raste që dyshohen për shmangie tatimore rastet përcillen në ATK.

“Në rastet kur nga ana e NJIF-it bazuar në informatat e analizuara ka dyshime se kemi të bëjmë me nën deklarim apo shmangie tatimore rastet përcillen në ATK” – përfundon përgjigja e ATK-së.

NJIF ka pranuar 960 raporte te transaksioneve/aktiviteteve të dyshimta në vitin 2022 ose mesatarisht 80 në muaj. Bankat përbëjnë numrin më të lartë të RTD-ve, apo 65% në krahasim me sektorët tjerë.

Cili është roli i BQK-së?

Mandati parësor për luftimin dhe parandalimin e pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit i përket NJIF-së sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit.

Ndërsa Banka Qendrore e Kosovës, bazuar në paragrafin 4, të nenit 34 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, zbaton kompetencat mbikëqyrëse në institucionet financiare për sa i përket pajtueshmërisë me këtë ligj dhe me rregulloret përkatëse.

“BQK në kuadër të mandatit të mbikëqyrës ka krijuar një kornizë rregullative gjithëpërfshirëse për të parandaluar shfrytëzimin e sistemit financiar për pastrim parash dhe financim të terrorizmit në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë rekomandimet e FATF dhe direktivat e BE-së dhe udhëzimet e Komitetit tё Bazelit” – thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Mekanizmat kryesorë që zbatohen ndaj institucioneve financiare sipas BQK-së përfshijnë kuadrin rregullativ, inspektimet në vend dhe jashtë vendit, monitorimin e transaksioneve, qasjen e bazuar në rrezik, teknologjinë dhe analizën e të dhënave dhe ngritjen e kapaciteteve.

BQK nxjerr dhe zbaton rregulloret për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit – PPP/LFT për institucionet financiare, duke siguruar respektimin e detyrimeve ligjore nga ana e institucioneve financiare. Po ashtu, ata kanë thënë se bëjnë mbikëqyrje të rregullt të bazuar në rrezik të bankave dhe institucioneve të tjera financiare për të vlerësuar kontrollet e PPP/LFT.

“Nga institucionet financiare kërkohet të zbatojnë sisteme të adekuate të monitorimit të transaksioneve dhe të raportojnë transaksionet e dyshimta tek Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF-K)”

Për qasjen e bazuar në rrezik, nga BQK kanë thënë se bëjnë miratimin e një metodologjie mbikëqyrëse të bazuar në rrezik për të përqendruar përpjekjet në sektorët dhe subjektet me rrezik më të lartë.

Tutje, BQK tregon se bën avancimin në përdorimin e teknologjisë për analizën e të dhënave dhe vlerësimin e rrezikut për të identifikuar kërcënimet e mundshme të pastrimit të parave.

Kurse për ngritje të kapaciteteve, BQK ka treguar se bëjnë trajnime të rregullta për institucionet financiare dhe stafin e BQK-së për të forcuar ekspertizën e PPP/LFT.

Të dhënat e Këshillit Prokurorial të Kosovës tregojnë se në vitin 2024 ka trajtuar 42 raste me 118 persona të përfshirë. Sipas këtyre të dhënave, janë zgjidhur 6 raste të pastrimit të parave, në të cilat kanë qenë të përfshirë 30 persona dhe 36 raste janë ende në proces hetimor ose procedura gjyqësore, në të cilat janë të përfshirë 88 persona.  

Më tej, raporti i vitit 2024 tregon se për 16 persona është pushuar hetimi, për 14 persona është ngritur aktakuzë pas procedurës hetimore ndërsa për 5 persona ka pasur aktvendime liruese. /Gazeta Enigma/

Related Articles