Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur sonte afër qendrës tregtare në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë në rrahje janë përfshirë disa persona, që dyshohet se u kapën për motive ende të panjohura, ashtu që e kanë sulmuar një person, të cilit i shkaktuan edhe lëndime trupore.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është dërguar në këtë qendër për trajtim mjekësor, për shkak të plagëve që ka pësuar si pasojë e goditjeve.
Ndërkohë posa rasti është denoncuar në Polici, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, por s’kanë arritur t’i kapin të dyshuarit për shkak se kanë ikur.
Pas përfundimit të procedurave policore, të dyshuarit janë identifikuar dhe tashmë Policia është vënë në ndjekje të tyre.