Rrëfimi i Besa Gaxherrit: Politika midis barrierave dhe sfidave të barazisë gjinore  

Rrëfimi i Besa Gaxherrit: Politika midis barrierave dhe sfidave të barazisë gjinore  

Besa Gaxherri është një ndër figurat më të njohura në politikën kosovare, me një karrierë të gjatë dhe të pasur që përfshin angazhime të rëndësishme në jetën publike, shkruan Gazeta “Enigma”.  

Gaxheri u fut në politikë me një vizion të qartë për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. 

Fillimet e saj në politikë datojnë në periudha të vështira për vendin, kur duhej guxim dhe vendosmëri për të ndërmarrë hapa të tillë. Besa Gaxherri ka përvojë në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin dhe administratën publike, ajo ka ndërtuar një reputacion si një politikane e zëshme dhe e angazhuar për të drejtat e qytetarëve dhe zhvillimin demokratik të vendit. 

Gjatë karrierës së saj, Gaxherri ka shërbyer në pozita të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës dhe në institucione të tjera kyçe. Ajo njihet për zërin e saj kritik, përkushtimin ndaj çështjeve të grave dhe të rinjve, si dhe për mbështetjen ndaj projekteve që promovojnë barazinë dhe drejtësinë sociale. 
 
Pas një pause në politikë, Gaxherri u rikthye sërish dhe gjendet në garën për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit.  

Ajo në një intervistë për Gazetën “Enigma” ka shfletuar momentet kyçe të karrierës së saj politike, sfidat që ajo ka hasur dhe vizionin e saj për të ardhmen e Kosovës. 

Intervista me Besa Gaxherrin: 

Gazeta “Enigma”: Çfarë ju motivoi të hynit në politikë në një kohë kur përfaqësimi i grave ishte minimal? 

Besa Gaxherri: Gjenerata ime është përfshirë nga politika nuk e kemi përzgjedhur ne politikën. Konkretisht unë kur jam futur në politik kam qenë adoleshente diku 16 vjeçare, pa e kuptuar se jam futur në politik, pa menduar apo ëndërruar kurrë karrierë në politik, angazhimi ishte për liri, sepse Kosova ishte në një gjendje të rëndë politike, ekonomike e diskriminuese. E kur flasim për këtë gjendje, gruaja në Kosovë e kishte këtë situatë dy herë më të vështirë, sepse rrethanat  patriarkale të asaj kohë që atakonin gratë e vajzat ishte po njëjtë e rëndë për supet tona sa gjendja e okupimit klasik që kishim nga sistemi i asaj kohe. Ishte koha që ne si vajza e gra ti thyenim këto tabu dhe ti largonim figurativisht zingjirët që na zënin frymarrjen. 

Pra njëkohësisht të fitojmë lirinë personale në familjet tona e pastaj edhe lirin kombëtare. 

Pa modesti ndihem krenare për gjeneratën time që ne ia dolëm që ta fitojmë këtë betejë e më vonë ta fitojmë edhe luftën për liri të vendit e kombit. Ne e përmbushëm misionin tonë. 

Me kalimin e kohës motivi im për angazhim në politikë u bë Liria, Pavarësia e Demokracia. 

Në rrugën time vetëmohuese e tejët sfiduese në politik, pata rastin e privilegjin qe të punoj me grat e burrat më të mirë të kombit tim qe ishim bashkuar rreth projektit kombëtarë të projektuar nga liderit largpamës, ideatorit e arkitektit të Kosovës së pa varur dr. Ibrahim Rugova dhe ekipit të tij të gjerë që kishte rreth vetes. 

Presidenti Rugova arriti që mbi 2 milion shqiptar ti bëjë bashkë dhe të na mobilizojë për ta bërë Kosovën Shtet të pa varur. 

Gazeta “Enigma”: A mund ti përshkruani emocionet e nënshkrimit të deklaratës së Pavarësisë? 

Besa Gaxherri:  Sa herë që më është bërë kjo pyetje nuk kam mundur ti gjejë fjalët për të shprehur atë moment historik, epik e hyjnor. 

Të nënshkruese e pavarësisë së vendit tënd, të realizosh ëndrrën shekullore të stërgjyshërve e brezave të tërë qe u sakrifikuan e u sfiduan për ta bërë Kosovën Shtet është moment që ndodhë vetëm njëherë në ekzistencën e kombeve dhe memoriet për gjithmonë. 

Sa më fat dhe e lumtur jam për këtë veprim e për këtë mundësi. 

Gazeta “Enigma”: Si e vlerësoni progresin e barazisë gjinore në politikën shqiptare gjatë viteve të fundit? 

Besa Gaxherri: Progresi i barazisë gjinore në Kosovë është tejet i lartë. 

Kur nisëm vetëm nga përvoja ime, nga rrugëtimi i gjeneratës sime e ta krahasojmë më sot, janë bërë hapa të mëdhenj.  

Jemi pikërisht ne që ndër ligjet e para, ende pa u shpallur pavarësia e Kosovës, kemi hartuar dhe votuar Ligjin për barazi gjinore, e pastaj edhe shumë ligje tjera të cilat e fuqizojnë gruan. 

Por çështja e barazisë gjinore është përtej ligjeve, është çështje kulturore e sociale. 

Gratë e vajzat duhet ta fitojnë barazinë me punë, përkushtim, dashuri e seriozitet duke mos e bërë këtë temë banale. 

Ne jemi gra dhe duhet të qëndrojmë fort në  pozicionin e gruas pa kërkuar të bëhemi burra, apo ti bëjmë burrat që të duken si gra. 

Gazeta ‘Enigma”: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur si grua politikane? 

Besa Gaxherri: Angazhimi im në politik ka pasur sfida të përditshme qoftë me proceset politike shumë të vështira e të komplikuara qe i ka pasur dhe i ka ende Kosova, qoftë sfidat teknike e operative ditore. 

Por unë sfidat në profesion nuk i shoh kurrë si grua apo burrë, ato janë aty dhe ti duhet ti kalosh, mund të rrëzohesh por duhet të ngrihesh prapë e të mos dorëzohesh. 

Gazeta “Enigma”: Çfarë roli ka luajtur familja dhe komuniteti juaj në mbështetjen e karrierës suaj? 

Besa Gaxherri: Pa mëdyshje, pa mbështetjen e familjes dhe rrethit familjarë e të shoqërisë në përgjithësi nuk ka mundësi të përballosh gjitha sfidat që janë në politik. 

Gazeta “Enigma”: Cila është këshilla juaj për gratë dhe vajzat që dëshirojnë të angazhohen në politikë? 

Besa Gaxherri: Këshilla ime për gratë e për vajzat qe duan të angazhohen në politik dhe jo vetëm në politik por në çfarëdo profesioni është: Ndiqe ëndrrën tënde pa frikë e pa mëdyshje; Mos i thuaj kur vetës unë s’mund ta bëjë këtë apo atë; Ti me vullnet, punë e përkushtim mund të arrish krejt çfarë të duash. 

Gazeta “Enigma”: Si e shihni rolin tuaj në të ardhmen e politikës shqiptare? 

Besa Gaxherri: Roli im në politik apo kudo që të jam do jetë t’i shërbej vendit tim me dashuri, me etik e profesionalizëm. 

Gazeta “Enigma”: Çfarë mendoni se ka ndryshuar në mënyrën e funksionimit të politikës nga fillimi i karrierës tuaj deri më sot? 

Besa Gaxherri: Ndryshimet në funksionimin e politikës nga fillimi i karrierës sime deri më sot është shumë i madh dhe fatkeqësisht në dy ekstremet. 

Ekstremi pozitiv sepse ne arritëm ta bëjmë këtë vend shtet, arritëm që nga hiri e hiqi ta bëjmë shtetin funksional, por ekstremi tjetër është se në politik kanë arrit të katapultohen njerëz të cilët kanë degraduar vetë institucionet e nderuara me mund. 

Nëse krahasojmë mandatin e parë të Kuvendit të Kosovës me mandatin aktual është dëshpëruese niveli, sjellja e puna e disa deputetëve.  

Sidoqoftë ne duhet të punojmë që t’i rrisim vlerat demokratike të këtij vendi dhe të ecim përpara. Ky duhet të jetë shekulli i shqiptarëve. /Gazeta Enigma/

Related Articles