Rritet presioni ndërkombëtar për dialog – Serbia s’i ndal sulmet ndaj Kosovës

Rritet presioni ndërkombëtar për dialog – Serbia s’i ndal sulmet ndaj Kosovës

Përderisa secilën ditë po shtohen sulmet ndaj Policisë së Kosovës në komunat serbe, bashkë me to po rritet edhe presioni ndërkombëtar për ta zhbllokuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Brenda pesë ditëve Kosovën e vizituan dy delegacione amerikane, të cilët përçuan mesazhe të qarta për krerët e shtetit.



Zhbllokimi i dialogut ishte kryefjala e këtyre takimeve.

Këtë e kërkoi edhe Ndihëmssekretarja amerikane për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, e cila së bashku me Emisarin special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar vizitoi Kosovën të hënën.

“Mënyra më e mirë për t’ju kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit, për ta destabilizuar rajonin, janë të thjeshta. Kosova dhe Serbia duhet të bëhen bashkë dhe në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja”, citohet të ketë dhënë Donfried.

Por kundër këtyre thirrjeve po vepron pala serbe.

Sërish sulm ndaj Policisë së Kosovës

Policët e Kosovës janë sulmuar sërish në mëngjesin e kësaj të martë në veri të vendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani e ka konfirmuar për Gazetën “Enigma” se sulmi ka ndodhur në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Policia e Kosovës janë sulmuar me armë zjarri.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, theksoi Kelani për Gazetën Enigma.

Kelani ka thënë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar rastin.

“Veprimet serbe, rrezik të destabilizim të sigurisë në vend”

Analisti politik, Fatmir Çollaku vlerëson se sulmet e fundit në komunat serbe, duhet të jenë alarm për institucionet e vendit. Sipas tij, institucionet relevante duhet të jenë vigjilente me qëllim që të mos lejojnë skenarët e përgaditur nga Serbia për ta destabilizuar vendin, shkruan tutje “Enigma”.

““Institucionet e vendit bëjnë punën e tyre konform mandatit që kanë secila prej tyre mendohet në këtë rast me policinë dhe institucionet dhe të përcillet me vigjilencë dhe kujdes të shtuar situatën në veri ngase të gjithë e dimë se atje është një vatër që mund të gjenerojë pasiguri në çdo situatë duke ditur faktin se Serbia në vazhdimësi ka skenar të ndryshëm destabilizues”, ka thënë ai.

Sipas tij “bashkëpunim i i organeve të sistemit të sigurisë me KFOR-in është i kënaqshëm dhe në nivelin e duhur. Prandaj nuk shoh arsye për shqetësim serioz sa i përket atakimit të sigurisë në pjesën veriore lidhur me targa apo çështje tjera”.

Ndërkohë ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së, duke i komentuar zhvillimet e fundit ka kritikuar Qeverisë lidhur me qasjen në dialog.

“Qeveria aktuale, në vend që të insistonte në mbyllje të dialogut me njohje reciproke, në Bruksel propozoi ‘traktate’ për mos-sulm dhe për zëvendësim të CEFTA-së, të cilat u injoruan plotësisht dhe me të drejtë nga ana e BE-së. Fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje”, tha ai.

Ndërkaq, tani sipas tij kur duhet marrë përgjegjësi shtetërore dhe duhet treguar seriozitet para partnerëve, krerët qeveritar “nuk dinë çfarë të thonë”.

Lista Serbe dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës

Përmes një komunikate për media, Lista serbe, ka dënuar incidentin që ndodhi mëngjesin e sotëm në komunën e Zubin Potokut ku u dëmtuan veturat e Policisë së Kosovës.

“Ky incident ka për qëllim destabilizimin e mundësive, por edhe përpjekjen për t’i paraqitur serbët si disa ngacmues, gjë që nuk përputhet me të vërtetën.U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje. Që të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk i mendon mirë popullit serb”, thuhet në komunikatën e tyre. / Gazeta Enigma.

Related Articles