Rritja e pagës për sektorin publik, deputeti i PDK-së: Supermashtrim nga kryemashtruesi Kurti

Rritja e pagës për sektorin publik, deputeti i PDK-së: Supermashtrim nga kryemashtruesi Kurti

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka rritur pagat për punëtorët e sektorit publik në Kosovë nga janari i viti 2025.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një konference për media të mbajtur më 29.10.2024, njoftoi se një pjesë e rritjes së pagave do të bëhet nga janari, e pjesa e dytë e rritjes nga korriku i vitit 2025, shkruan Gazeta Enigma.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- u shpreh ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithësej 110 euro bruto.

Ai tha se vlera e koeficientit do të mbetet e njëjtë, por do të rritet njësia e koeficientit.

E një vendim të tillë deputeti i PDK-së Hisen Berisha, e cilëson si ‘supermashtrim nga Kurti’.

“Supermashtrim i mashtruesit patologjik – kryemashtruesit Kurti”

“Qeveria njoftoi se, edhe pse kundërligjshëm, ka shtuar një gjysmë koeficienti mbi pagën, por nuk e ka rritur vlerën e koeficientit të pagës. Realisht nuk ka rritje të pagës, por vetëm 55 euro janë shtuar mbi pagën. Fakti që kjo fillon nga janari deri në korrik të vitit 2025, me premtimin se më pas do të shtojë edhe gjysmën tjetër të koeficientit (pa e rritur vlerën e tij), tregon se është pjesë e premtimit mashtrues elektoral. Kjo formulë vazhdon të jetë mashtrim për të mbajtur qytetarin e varfër, një doktrinë udhëheqëse e regjimeve të majta”, u shpreh Berisha për Gazetën Enigma.

Sipas deputetit Berisha, kjo rritje e pagës nuk e përballon trefishimin e çmimeve në treg si shkak i inflacionit.

“Vlera e koeficientit mbetet e pandryshuar në 110 euro, që përkthehet se mbi pagën punëtorët do të marrin një shtesë të vogël prej vetëm 55 eurosh. Përtej mashtrimit, kjo nuk mbulon as për së afërmi shkallën e inflacionit që varion nga 45 deri 200%. Po ashtu, nuk mund të përballojë as rritjen enorme të çmimeve që janë trefishuar në disa artikuj të konsumit të përditshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt shportën familjare. Njësoj u mashtruan edhe pensionistët me premtimin e një “rritje” prej 20%, që realisht ishte vetëm një shtesë e vogël prej 10, 18 apo 20 eurosh për shumicën e tyre”, vazhdoi Berisha për Enigmën.

Ndër të tjera, deputeti i PDK-së potencon se korrupsioni nga kjo Qeveri është i përfshirë në çdo institucion.

“Një mashtrim i ngjashëm ishte edhe “rritja” prej 6.88 eurosh, e cila ishte thjesht një ulje në tatimin mbi të ardhurat, duke e lënë pagën të pandryshuar. Korrupsioni endemik është i pranishëm në çdo institucion. Nuk ka vend për festë, por për reflektim – qeveria duhet të ulet dhe të analizojë me kujdes çfarë po shkon keq. Rreth 80% e qytetarëve kanë përjetuar korrupsionin në lëkurën e tyre. Këto nuk janë thjesht manipulime – janë veprime që i përngjajnë personazheve të George Orwell-it, të dizajnuara për të devijuar vëmendjen nga realiteti i hidhur që po përjetojnë qytetarët e Kosovës”, përfundoi Berisha për Enigmën./GazetaEnigma/

Related Articles