Rritja e tatimit në pronë nga 1 janari “goditje fatale dhe barrë e re” për qytetarët e Kosovës

Rritja e tatimit në pronë nga 1 janari “goditje fatale dhe barrë e re” për qytetarët e Kosovës

Ligji i ri për Tatimin në Pronë, i miratuar vitin e kaluar do rrisë tatimin për pronat komerciale në 200%, shkruan Gazeta Enigma.

E një rritje e tillë ka ngritur shqetësime të mëdha në sektorin e biznesit në Kosovë, sepse një rritje e lartë e tatimit në pronë po i pret të gjithë ata që kanë prona komerciale nga janari i vitit të ardhshëm, shkruan Gazeta Enigma.

Një vendim i tillë është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare e njohës të ekonomisë të cilët vlerësojnë se kjo sjell një “barrë të re” për qytetarët e Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, njëherit edhe anëtar i Komisionit për Ekonomi, potencoi për Gazetën Enigma se kjo rritje e tatimit në pronë do të vështirësoj mënyrën e zhvillimit të bizneseve.

“Çështja e tatimit në pronë tash është problem i njohur ndaj institucioneve të shtetit, kemi ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, i cili ka filluar një pjesë së implementuari dhe pjesa tjetër do të filloj në vitin 2025. Kjo kategori që përfshinë ky ligj do të kenë një rritje të tatimit në pronë për ekonomitë familjare për 100% ndërsa për bizneset, për pronat që kanë karakter biznesi, prona që kanë potencial zhvillimi ekonomik, rritja është mbi 200%. Në parim kjo do ta vështirësoj tejmase mënyrën e të bërit biznes dhe do ta vështirësoj akoma më shumë ekonominë e secilit biznes”, tha ai.

Shala beson se “kjo është pjesë e gabuar e politikave të Qeverisë dhe të cilat e kanë ndëshkuar ekonominë familjare”, por edhe “gjithë ata që posedojnë pronë”.

Sipas tij, ky ligj mund të ndryshoj vetëm me vullnetin e mazhorancës.

“Mundësitë juridike janë që të ndryshohet ligji, rrugë tjetër tash për tash nuk ekziston, e për t’u ndryshuar ky ligj duhet prapë inciativë, duhet prapë veprim juridik, dhe vullnet i mazhorancës, i atyre që e kanë ndërtu”, përfundoi deputeti i PDK-së.

“Një rritje e till e tatimit në pronë, do të jetë një barrë e re për qytetarët”

Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu thekson se zbatimi i këtij ligji do të jetë fatal për ekonominë në vend.

“Një ndër ligjet që ka zgjuar habi dhe po e shohin si ‘sfidë’ në të ardhmen sidomos qytetarët dhe sektori privat, është Ligji mbi Pronën. Parashikimet janë që të ketë ngritje të çmimeve 100 deri 200% dhe efektet e zbatimit të këtij ligji do të jenë fatale për ekonominë kosovare. Bizneset e mëdhaja duhet të paguajnë dyfishin apo trefishin e asaj që kanë paguar deri sot, ekonomitë familjare do ta kenë një barrë të re, e mbi të gjitha do të jetë një rrezik i paanalizuar sa i përket sektorit të bujqësisë, ku pritet toka e punuar të jetë e tatimuar, ku në këtë drejtim do të ketë rënie dhe goditje në aktivitetet e patundshmërisë dhe do të jetë gjithashtu një goditje e drejtë për drejtë për sektorin e ndërtimtarisë”, tha ekonomisti Gërxhaliu.

“Kjo situatë e paraqet më së miri pasqyrën reale të deputetëve të Kosovës, ku votojnë më lehtë sesa lexojnë se çka po votojnë”

“Në këtë drejtim në vend se të mbështetet prodhimi vendor në Kosovë, dhe bujqësia, ne duhet të zbatojmë politika që do ta dëmtojnë ekonominë dhe zhvillimin në vend. Është një paradoks, dhe këtë e bën të veçantë se për këtë ligj kanë votuar në mënyrë unanime në parlament, dhe kjo shpalos pasqyrën reale të deputetëve të Kosovës, ku votojnë më lehtë sesa të lexojnë se çka po votojnë”, tha Gërxhaliu për Enigmën.

Edhe ekonomisti Mustafë Kadriaj, beson se implementimi i rritjes së çmimit për tatimin në pronë do të “trazojë” tregun në Kosovë.

“Një tatim i tillë dhe pa konsultim me bizneset vlerësoj se është i dëmshëm dhe kjo do ta rëndoj jo vetëm zhvillimin e biznesit por efektin do ta ketë më të madh tek mirëqenia e qytetarëve, tek shporta e konsumimit. Sepse, në momentin që bizneset ngarkohet me këto tatime rrjedhimisht do të ndikoj tek ngritja e qirasë pamarrë parasysh se çka do të punojë ai lokal në të ardhmen dhe si pasojë do të ngarkohet jeta e qytetarit. Ky ligj nuk ka qenë fare i konsultuar me biznese dhe me opozitë”, tha ai.

Sipas tij partia në pushtet dhe fuqia parlamentare e kanë vendosur këtë ligj, i cili sipas tij “do të jetë i dëmshme për të bërit biznes në Kosovë, duke e marrë parasysh biznesi në vend vitet e fundit ka një ngulfatje dhe në vitin e ardhshëm me këtë rritje do të trazohet tregun në Kosovë”.

Vendimi i ekzekutivit është kritikuar edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Sipas tyre një pronë me vlerë prej 7 milionë euro do të paguajë 26,100 euro tatim, nga 11,900 euro që paguhej më parë. Kjo rritje e tatimeve po krijon shqetësime për bizneset në vend.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, shprehet se nëse këto fatura i shkojnë bizneseve, ato do të detyrohen të rrisin qiratë.

”Nëse këto fatura, i shkojnë bizneseve të Kosovës atëherë do të jetë një zinxhirë i dëmeve, sepse nëse kemi një pronë komerciale që i ka, një numër të vogël, të mesëm të madh të shitoreve, ata do të jenë të detyruar që t’i ngrisin qerat, në momentin që ngritën qerat, vjen pasoja tjetër ku mund të ngriten gjërat ushqimore, rrobat apo mund të zvoglohet numri i punëtorëve” është shprehur Sazan Ibrahimi, kryetar i AKK-së.

“Tatimi në pronë në Kosovë, nga viti 2025 do të jetë më e larti në Ballkanin Perëndimor”

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kundërshtuar ligjin e ri për tatimin në pronë, i miratuar vitin e kaluar, duke theksuar se ai do të shkaktojë rritje të faturave për tatimin në pronë komerciale me 200-300%.

AKB-i thekson se kjo është një barrë e madhe për bizneset dhe investitorët, me ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Në Kosovë tatimi në pronë komerciale dhe private nga viti 2025 do të jetë me e larta në Ballkanin Perëndimor, ligji i ri për tatimin  në pronë, i miratuar vitin e kaluar do të ketë efekt në ngritjen të lartë të tatimit në pronë dhe Prona Komerciale nga viti i ardhshëm.  AKB e kundërshton  këtë ligj sepse do të ketë  ngritje të faturave të tatimit në pronë komerciale  200-300%,kjo është një barrë e lartë për bizneset dhe investitorët më  ndikim negative të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, janë deklaruar nga AKB.

Rregullat e reja për tatimin në pronë hyjnë në fuqi më 01.01.2025

Nga 1 janari 2025, sipas ligjit të ri, vlera e detyrimit tatimor për pronat deri në 100,000 euro do të variojë nga 0.10% deri në 1%. Ndërsa për pronat mbi 100,000 euro, shkalla tatimore do të jetë nga 0.20% deri në 1%. Për pronat mbi 500,000 euro, do të aplikohet një shkallë tatimore që mund të variojë nga 0.30% deri në 1%. Për vlerën e pronave deri në 1 milion euro, shkalla do të jetë nga 0.40% deri në 1%, ndërsa për pronat mbi 5 milion euro, do të aplikohet një shkallë prej 0.50% deri në 1%.

Vlerësimin e pronave e ka bërë Ministria e Financave, por vendosja e shkallës tatimore do të jetë në kompetencë të kuvendeve komunale. Edhe nëse shkalla tatimore e miratuar është më e ulët, pritet që rritja e tatimit të jetë e ndjeshme. Kjo rritje ka ngritur shqetësime se do të ndikojë negativisht në sektorin e biznesit dhe zhvillimin ekonomik të vendit0 /GAZETAENIGMA/

Related Articles